Me vendim të ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, është caktuar Koordinator Nacional për Sigurinë Kibernetike, zëvendësi i tij Nehat Mustafa.
Kjo gjë u bë e ditur gjatë takimit të dytë të grupit punues për implementimin e Strategjisë Shtetërore për Sigurinë Kibernetike dhe Planin e Veprimit 2016-2019.
Gjatë fjalës së tij, Mustafa theksoi se pas marrjes së kësaj pozite presin bashkëpunim edhe më të mirë me të gjitha institucionet të cilat janë të përfshira në përmbushjen e aktiviteteve sipas planit të veprimit.
“Është obligim i secilit institucion që të përmbushi të gjitha obligimet që i janë ngarkuar me këtë strategji sipas panit të veprimit, në mënyrë që edhe neve si MPB, si koordinatore e strategjisë ta kemi më të lehtë përmbushjen e aktiviteteve”-, theksoi zëvendësministri Mustafa.
Koordinatori Nacional po ashtu bëri të ditur se është duke u diskutuar edhe çështja e rishikimit të Ligjit për Luftimin e Krimit Kibernetikë, ligj ky i cili më herët ka qenë i sponsorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, por që me Strategjinë e Sigurisë Kibernetike është lënë në kompetencën e MPB-së.
Gjithashtu, Koordinatori Nacional njoftoi të pranishmit se janë filluar përgatitjet për hartimin e Projekt – Ligjit për Infrastrukturën Kritike të Informacionit. Rreziku nga krimi kibernetikë është në rritje e sipër, prandaj si çështje urgjente u shtruan hartimi i një plani për vetëdijesimin e qytetarëve , institucioneve publike e private , si dhe botimi i një buletini informues.
Në fund, ai njoftoi të pranishmit se gjatë këtij muaji do të emërohet Këshilli Shtetëror për Siguri Kibernetike, transmeton Klan Kosova.