Ne e kemi bërë atë që na është kërkuar, deklaroi sot kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Bruksel, në një deklaratë të përbashkët për shtyp pas takimit me komisionarin për Zgjerimin, Johanes Hahn.
“Hahn e shprehu fare qartë. Ne e kemi bërë atë që na është kërkuar. Po përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Evropian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, “do të thotë që, nga njëra anë, ne duhet ta kuptojmë qartë këtë situatë dhe nga ana tjetër ta vazhdojmë procesin e reformës”.
“Siç e tha dhe komisionari, nuk i bëjmë pse po na i kërkon Brukseli, Londra, Parisi, apo Berlini, por i bëjmë sepse na i kërkon nevoja që t’u lëmë fëmijëve tanë një Shqipëri evropiane, me institucione demokratike, me një shtet institucional të së drejtës dhe një ekonomi me standarde të Bashkimit Evropian”, tha Rama. /ATSH/