GJND-ja e tha shkurt e shqip se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në tërësi, Rezolutën 1244 apo Kornizën Kushtetuese të miratuar nga UNMIK-ut në vitin 2001. Opinioni i GJND-së i hap rrugë njohjes së Kosovës nga shtete që kanë hezituar por ai nuk pritet të ketë ndikim mbi procesin e brendshëm të ndërtimit të një shteti funksional dhe nuk do sjellë shtrirjen e autoritetit të Kosovës në 3 komunat veriore të saj ku pothuajse asnjë institucion i Kosovës nuk ka prani fizike. Pavarësisht GJND-së, nuk pritet që Serbia të ndryshojë qasje, por do të vijojë betejën e saj në forumin e vetëm ndërkombëtar ku mundet ende të luajë rolin e viktimës dhe të kërkojë rikthimin në tryezën e bisedimeve për të ardhmen e Kosovës. Serbia duke e ditur mirë se veriu i Kosovës është edhe shansi i fundit i saj për të penguar konsolidimin e shtetit të ri, prej kohësh kërkon provokim artificial të dhunës për tu dëshmuar ndërkombëtarëve se ajo e kontrollon këtë pjesë të Kosovës.
Për t’i dhënë Serbisë diçka, miq dhe kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës po e shtojnë presionin ndaj udhëheqësve në Prishtinë për lëshime të reja ndaj Serbisë. Si pretekst themelor për nevojën e negociatave përdoret fakti se Plani i Ahtisaarit ka dështuar në veriun e Kosovës. Mbështetësit e negociatave i mëshojnë faktit se ndarja faktike e veriut të Kosovës është provë se Kosova nuk mund të ketë sukses pa normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin. Mungesa e energjisë dhe mençurisë për të çuar përpara një zgjidhje jo të dhunshme për integrimin e veriut po i shtyn ndërkombëtarët që të kërkojnë lëshime shtesë nga Shqiptarët duke sjellë me vete edhe rrezikun e varrosjes përfundimtare të Ahtisaarit pa e testuar atë në praktikë. Ndërkohë, udhëheqësit e Kosovës të shantazhuar nga hija e zezë e dosjeve të korrupsionit dhe nga varësia tronditëse ndaj ndërkombëtarëve edhe pas GJND-së po përpiqen të gjejnë një strategji komunikimi me publikun për të dalë të palagur nga lëshimet shtesë që mund t’i bëhen Beogradit ashtu siç kanë vepruar me Planit 6 pikësh të propozuar nga Ban Ki-moon pas pavarësisë. Prishtina zyrtare po tregon edhe shenja euforie në paraqitjen e ideve për lëshime shtesë ndaj veriut të Kosovës vetëm tre muaj prej kohës kur Qeveria e Kosovës miratoi strategjinë për rikthimin e ligjshmërisë në Veri dhe emëroi koordinatorin e posaçëm për implementimin e saj.
Përse po rihapen negociatat dhe si po kornizohen ato?
E vetmja palë që ka interes të rihapen negociatat është Serbia. Ajo që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka theksuar me ngulm se statusi i Kosovës mund të zgjidhet vetëm me bisedime shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit nga të cilat Beogradi nuk do të ishte humbësi total. Serbia përpiqet të projektohet si palë më fleksibël në hulumtimin e opsioneve të reja mbi statusin dhe njëkohësisht të dëshmojë se Kosova nuk mund të bëjë progres në shtetndërtim pa e marrë bekimin e Serbisë. Bisedimet, si gjithmonë po përkufizohen si “teknike” por pritet të përqendrohen në tre tema themelore. Së pari, Serbia kërkon pranimin e një statusi special për komunat serbe të veriut ku jetojnë rreth 50 mijë serbe duke mundësuar krijimin e një entiteti politik etnikisht të pastër serb jashtë kontrollit të Kosovës. Kjo do të përbënte sukses vendimtar për Serbinë duke i dhënë goditje përfundimtare Planit Ahtisaari si model për krijimin e Kosovës multietnike dhe duke rrënuar themelet kushtetuese të shtetit të ri. Së dyti, Serbia synon avancimin e statusit të kishave dhe manastireve ortodokse në territorin e Kosovës duke i nxjerrë ato përfundimisht nga juridiksioni territorial i Kosovës dhe duke krijuar një “minishtet” mbi baza fetare me extraterritorialitet të garantuar ndërkombëtarisht. Së treti, Serbia kërkon nga mbështetësit ndërkombëtarë të Kosovës premtimin se Prishtina se nuk do të provokojë kundërreagime të shqiptarëve të Preshevës apo kërkojë aplikimin një statusi të ngjashëm si për veriun e Kosovën në zonat e banuara nga shqiptarët në Luginën e Preshevës. Duke shfrytëzuar varësinë e tejskajshme të politikës kosovare nga ndërkombëtarët dhe “lodhjen e ndërkombëtarëve me çështjen e Kosovës”, Serbia i ka mundësuar vetes një situatë “Win Win” ku me hapjen e negociatave arrin të dëshmojë se Kosova nuk është punë e përfunduar. Nëse negociatat kanë sukses në shndërrimin e ndarjes de fakto të veriut në ndarje de jure Serbia arrin të cenojë funksionalitetin e Kosovës duke e përdorur veriun si Republikën Serbe të Bosnjës duke u bërë kështu hisedare të përhershme mbi stabilitetin e Kosovës.
Pse nuk është momenti i duhur për negociata?
Dy vjet pas pavarësisë, politika kosovare ndoshta nuk i ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të saj por shteti i ri i Kosovës ka arritur të dëshmojë se nuk përbën kërcënim për komunitetet pakicë. Nëse arsyeja kryesore për negociatat është dështimi i Ahtisaarit si model i shtetndërtimit atëherë vlen të shqyrtohet ecuria e zbatimit të tij në këto 2 vjet. Të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori janë shumetnike. Të gjitha komunat e reja serbe, me përjashtim të Mitrovicës së Veriut janë themeluar në përputhje me Planin e Ahtisaarit dhe sot udhëhiqen sipas ligjeve të Kosovës nga vetë komuniteti serb. Numri i i të zhvendosurve serbë që janë kthyer në Kosovë është dyfishuar nga 679 në 2008 në 1153 në 2009 duke shënuar trende pozitive në krahasim me kohën kur Kosova ishte nën administrimin e OKB-së. Nga 6 subjekte politike serbe që morën pjesë në zgjedhjet e vitit 2007, numri i partive dhe iniciativave qytetare serbe që konkuruan në zgjedhjet e nëntorit 2009 sipas ligjeve të Kosovës arriti në 26 sosh. Niveli i punësimi të komuniteteve pakicë në Kosovë është 13.7% ndërkohë që pakicat përbëjnë vetëm 8% të popullsisë së Kosovës. Rreth 20 mijë qytetarë serbe kanë marrë kartat e identitetit të Kosovës së pavarur. Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet për komunën e re të Parteshit në qershor 2010 arriti në mbi 65% që është dukshëm më e lartë se pjesëmarrja në komunat me shumicë shqiptare. Serbët dhe shqiptarët bashkëqeverisin në nivel qendror dhe në nivel lokal në komunat Novobërdë, Lipjan, Shtërpcë. Partitë shqiptare bashkëqeverisin me subjektet politike turke, boshnjake dhe gorane në Prizren, Dragash, Pejë pa kurrfarë problemi.
Pjesa e vetme e Kosovës ku integrimi etnik nuk ka shënuar progres është veriu i Kosovës dhe kjo jo për shkak të mosdëshirës të institucioneve të Kosovës por për faktin se Plani i Ahtisaarit është përballuar me një situatë thelbësisht të ndryshme dhe të dhunshme të sponsorizuar nga Serbia. Pika kufitare dhe kontrolli doganor janë djegur, gjykata në veri nuk funksionon, anëtarët serbë të ekipit përgatitor të komunës së Mitrovicë së veriut kanë marrë kërcënime me vdekje, në komunat e veriut KQZ-ja nuk ka arritur të organizojë zgjedhje normale, zyra e ICO në veri është sulmuar me bombë, zyra e gjendjes civile e Republikës së Kosovës është sulmuar dhunshëm dhe EULEX-i nuk është i mirëpritur të vendosë sundimin e ligjit në atë pjesë. E gjitha kjo situatë nuk është dëshmi se banorët lokalë serbë nuk duan drejtësi, rend dhe qetësi por zëri i tyre nuk dëgjohet nga ndikimi i ekstremistëve serbë të financuar dhe instrumentalizuar nga vetë Beogradi i cili ndërron shefat e strukturave paralele sipas oreksit të shumicave qeverisëse në Serbi por jo edhe qasjen destruktive ndaj Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk kanë qasje fizike për të biseduar me serbët lokale ndërsa EULEX-it, KFOR dhe SHBA as nuk kanë shprehur gatishmëri për tu përballur realisht me problemin e veriut dhe as nuk i lejojnë institucionet kosovare të veprojnë në veri.
Të dhënat e mësipërme tregojnë se aty ky Qeveria e Kosovës ka qasje fizike dhe mundësi të komunikimit me pakicën serbe, Serbia po e humb kontrollin mbi serbët e Kosovës me shpejtësi që askush nuk e kishte parashikuar para shpalljes së pavarësisë. Humbja e kontrollit është më e dukshme në enklavat në jug të lumit Ibër ku përkundër thirrjeve dhe kërcënimit të Beogradit, Serbët lokalë dolën në zgjedhjet lokale të nëntorit 2009 duke mundësuar themelimin e komunave të rëja sipas dispozitave të Planit Ahtisaari nga parti ose iniciativa qytetare lokale serbe që nuk kanë seli dhe as degë në Serbi e që angazhohen me pragmatizëm në jetën politike dhe institucionale të Kosovës së pavarur. Dalja nga sistemi i qeverisjes lokale të Kosovës i tre komunave të Leposaviq, Zubin Potok dhe Zvecan nuk ka lidhje me Planin e Ahtisaarit pasi ato komuna ekzistojnë qysh prej vitit 2000 dhe i kanë raportuar institucioneve të Kosovës deri në qershor të vitit 2006 kur ish-Ministri i Serbisë për Kosovën Sllobodan Samarxhic u bëri thirrje të gjithë pjësëtarëve të komunitetit serb për bojkotim të institucioneve të Kosovës nën kërcënimin e humbjes së pagës së tyre që marrin nga Serbia. As Komuna e Mitrovicës se Veriut nuk ka dështuar të themelohet por sepse si Qeveria e Kosovës ashtu edhe faktori ndërkombëtar nuk ka shprehur vendosmëri për të rikthyer sundimin e ligjit në veri dhe KQZ-ja nuk ka patur mundësi të mbajë zgjedhje normale në veri përderisa aty nuk ka as kufi e as dogana dhe përdërisa zinxhiri komundues i policisë është tejet i brishtë. Edhe në veri ka shtim të numrit të serbëve që janë të lodhur nga instrumentalizimi i vazhdueshëm që u bën Serbia dhe qasja konfrontuese me shqiptarët.
Pse rihapja e bisedimeve i bën dëm shtetndërtimit?
Serbia po mundohet t’i imponojë faktorit ndërkombëtar besimin se fatet e Ballkanit përcaktohen nga roli i Serbisë në Bosnjë dhe Kosovë duke e shfaqur veten si një lojtar të fuqishëm rajonal dhe duke vazhduar të jetë përfituesi i përhershëm i karrotave të SHBA-së dhe BE-së. Pyetja e parë që vlen të shtrohet është se cila është dobia e negociatave nëse ato nuk do të përfundojnë me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia? Lëshimet shtesë do të avancojnë qëllimet serbe për të mbetur në lojën diplomatike mbi Kosovën, por ka pak gjasa që të përmirësojnë situatën e sigurisë dhe atë të serbëve të veriut sepse nëse ky do të ishte qëllimi i Serbisë, atëherë mjafton të zbatohet Plani i Ahtisaarit që lejon autonomi joterritoriale faktike për komunat serbe duke garantuar lidhje horizontale me njëra tjetrën, lidhje vertikale me Serbinë. Me aksesin e pakufizuar si shtet amë dhe me mbështetjen financiare që Ahtisaari i garanton Serbisë, Beogradi e ka të siguruar rolin e avokatit të përhershëm mbi komunitetit serb. Së dyti, sa vlerë kanë negociatat kur ato nuk garantojnë njohje nga 5 vendet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën duke se kemi shtete si Qipro që kanë deklaruar prej kohësh se nuk do ta njohin Kosovën edhe në rast se Serbia e bën një gjë të tillë. Atëherë pse duhet të shkohet në negociata kur unitetit i BE-së për rastin e Kosovës nuk do të ndikohet nga rezultati i tyre. Së treti, nëse Beogradi nuk do ta njohë Kosovën shtet me ose pa komunat e veriut pse duhet që shqiptarët të pranojnë si legjitime krijimin e një “mini Republika Srpska” si minë me telekomandë në Kosovën veriore.
Për më tepër, nëse Kosova detyrohet ta gëlltisë humbjen e territorit në veri pse duhet të ofrojë trajtim të posacëm për rreth 80 mijë serbë që jetojnë në enklavat e shpërndara në gjithë territorin e Kosovës? Edhe pse një pjesë e politikanëve të Kosovës e pranojnë privatisht se de fakto veriu është i humbur, vështirë se ata mund të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje për të pranuar de jure ndarjen e veriut. Pranimi i ndarjes do të ishte vetëvrasje politike për secilin politikan shqiptar. Nëse ndarja pranohet, flamuri me hartën e gdhendur mbi të mbetet kujtim, Kushtetuta bëhet irrelevante dhe bashkë me të edhe rreth 120 ligje të miratuara në pajtim me Planin e Ahtisaarit. Nëse ka prekje të territorit i gjithë koncepti i shoqërisë multietnike zhvleftësohet dhe projekti ndërkombëtar për identitet kosovar merr fund. Pse duhet të rihapen negociatat kur dihet paraprakisht se Beogradi nuk do ta njohë Kosovën në përfundim të tyre dhe se asnjë politikan shqiptar nuk do të pranojë krijimin e një Republika Srpska në veriun e Kosovës? Pra bisedimet nuk japin përgjigje për pyetjen kryesore “A është Kosova e pavarur dhe e njohur nga Serbia”. Avokatët e rihapjes së bisedimeve pretendojnë se nëse pavarësia e Kosovës do të njihet nga Beogradi pas shkëputjes së veriut atëherë Kosova dhe rajoni do të stabilizohen. Por kjo nuk i jep përgjigje pyetjes se nëse Beogradi shpërblehet me veriun pse duhet që shqiptarët e Maqedonisë të mos e kopjojnë qasjen desktruktive të Beogradit si strategji politike për ta rrënuar shtetin e brishtë të Maqedonisë? Pra si mundet që stabiliteti rajonal të rritet kur ndarja e Kosovës mund të shihet si model i mirë edhe për serbët në Bosnjë dhe për shqiptarët në Maqedoni?
Cila është rruga përpara në Veri?
Nuk ka dyshim se status quoja aktuale është e rrezikshme për integritetin territorial të Kosovës. Po ashtu nuk ka dilema se për shkak të afërsisë gjeografike me Serbinë integrimi i veriut ka për të marrë më shumë kohë. Mirëpo, liderët e Kosovës nuk mund të rrinë duarkryq para gjendjes në veriun e Kosovës duke i lënë fajin KFOR-it francez në 1999, Gerard Gallucit në 2008 apo EULEX-it në 2010. Ata nuk munden pafundësisht të mbyllin sytë dhe veshët para problemeve dhe të presin udhëzimet e radhës nga miqtë ndërkombëtarë. Qasja “presim dhe shohim” ose “hajt se bahet ma mirë” është dëshmuar e pasuksesshme. Prandaj, elita politike kosovare duhet me guxim të dalë nga situata e ndërvarësisë negative nga veprimet e Beogradit dhe nënshtrimi ndaj ndërkombëtarëve e të gjejë sa më shpejt zgjidhje jo të dhunshme integruese që kanë në epiqendër qytetarët serbë dhe brengat e tyre.
Nuk ka vend për tu frikësuar nga Serbia e cila ka ndjekur të njëjtën qasje edhe ndaj ish-republikave të tjera jugosllave Sllovenisë, Kroacisë dhe Malit të Zi duke i shantazhuar se nuk do t’i njohë kurrë dhe se ato nuk do të bëheshin kurrë shtete funksionale pa bekimin e Serbisë. Sot, këto shtete e kanë lënë mbrapa Serbinë duke u zhvilluar ekonomikisht dhe normalizuar politikisht për shkak të vendosmërisë së liderëve dhe popujve të tyre për të shkuar përpara pa Serbinë. Proceset në Kosovë mund dhe duhet të shkojnë përpara me ose pa Serbinë pa e thelluar ndërvarësinë nëpërmjet negociatave të reja. Ahtisaari nuk ka dështuar në veri pasi ai nuk është testuar asnjëherë. Prandaj Kosovës nuk i duhet rihapje negociatash me Serbinë por konsensus nacional dhe vendosmëri për gjetjen e zgjidhjeve pragmatike për integrimin pa dhunë të komunitetit serb. Kosova nuk ka nevojë të bëhet pjesë e tryezave ndërkombëtare ku fati i qytetarëve të saj vendoset nga shteti i Serbisë. Në muajt që vijnë, pozita dhe opozita në Kosovë duhet të refuzojnë njëzëri rihapjen e negociatave e të pajtohen për veprime të koordinuara ndërsektoriale që do të hapin një proces të ri politik në veri të Kosovës i cili dora dorës do të nxjerrë në pah liderë lokalë serbë që nuk orkestrohen as nga Beogradi e as nga Prishtina por që angazhohen në mënyrë pragmatike për të adresuar brengat reale të komunitetit serb.
(Autori është ligjërues i së Drejtës Kushtetuese ne Universitetin Amerikan të Kosovës)