Telegrafi

Negociata me gjermanët për aeroportin e Sarandës

Plani i palës shqiptare për Aeroportin e Kukësit është qëndrimi i tij në shërbim të mallrave, ndërsa në jug të vendit, konkretisht në Sarandë, mendohet të ndërtohet një i ri, në shërbim të zhvillimit të turizmit.

Kontrata që ka hyrë në fuqi në pjesën e parë të vitit 2005, nuk lejon aktivitetin e një aeroporti tjetër, përveç atij të drejtuar nga pala gjermane, Aeroporti "Nënë tereza".

Për 20 vjet me radhë, kontrata koncesionare ia jep të drejtën e operimit vetëm "Hochtief AirPort", që zotëron pjesën më të madhe të aksioneve.

Ministria e Transporteve konfirmon faktin e nisjes së negociatave për rishikimin e një pjese të kontratës, firmosur në maj 2005.

Gjatë takimit të zhvilluar me përfaqësues biznesesh greke, ministri Olldashi konfirmoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë shqiptare për ta ndryshuar atë pikë të kontratës që ndalon operimin e një aeroporti tjetër në Shqipëri.

"Negociatat po ecin normalisht, me një frymë mirëkuptimi mes dy palëve, ndërsa pritet që përfundimi të jetë sa më pozitiv. Për këtë qëllim po asistohemi nga një kompani konsulence, në mënyrë që penaliteti nga prishja e kontratës të jetë sa më i vogël", është shprehur pak kohë më parë kreu i Transporteve.

Në këtë pikë, Olldashi u ka bërë thirrje investitorëve grekë që ta shikojnë si një mundësi reale projektin e ndërtimit të aeroportit të Sarandës, e cila do t‘i vijë në ndihmë dhe ishullit grek të Korfuzit gjatë sezoneve turistike. /tch/