Site icon Telegrafi

Nedellkov: SASHK-u nuk do të lejojë pagesën e pagës në kundërshtim me Marrëveshjen kolektive për veprimtarinë kulturore

Sindikata e pavarur për arsim, shkencë dhe kulturë (SASHK) sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme të Këshillit ku do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm për shkak të vonesës së pagës së muajit mars për rreth tre mijë punonjës në veprimtarinë e kulturës. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov në konferencë për media tha se me gjasë do të vendosin për protestë, edhe pse është periudhë zgjedhore dhe nëse problemi thellohet, tha ai, “ndoshta do të marrin vendim për grevë të përgjithshme në institucionet kulturore”.

Në konferencën për media në të cilën morën pjesë edhe punonjës të kulturës, SASHK-u shprehu pakënaqësinë për vonesën e pagës për muajin mars ku sipas Marrëveshjes kolektive në sferën e kulturës të punësuarit duhet ta marrin deri më datën 15 ose 10 të muajit.

Konform harmonizimit të pagave me pagën minimale në vend, paga e muajit mars duhet të rritet për 12 për qind. Përllogaritjet janë përgatitur nga institucionet e kulturës, por nuk ka asnjë miratim nga Ministria e Financave, pavarësisht premtimeve të ministrit dikasterial.

Lexo po ashtu Mbi tre mijë të punësuar në kulturë pa paga, prej nesër nisin me protesta

“Edhe pse ministri doli dhe tha se nuk do të ketë problem me pagat, në sektorin e kulturës ka ende probleme me pagesën e pagave të muajit mars. Problemi daton tetorin e vitit të kaluar për pagën e shtatorit, kur të punësuarit në kulturë morën vendim për pagë me vlerë të kufizuar. Kjo do të thoshte se deri në mars do të vlenin ato vendime, nga muaji mars do të zbatohet sistematizimi i pagës minimale sipas koeficientit, pa përllogaritur ndërkohë rritjen prej 10 për qind të pagës në bazë të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive. Ky ka qenë një sinjal i qartë për ne se çfarë mund të ndodhë në prill për pagën e marsit dhe ja shqetësimi jonë dhe reagimet ishin të justifikuara për faktin se Ministria e Kulturës kishte plan, strategji dhe qëllim që pagat në vend të 12,55 për qind të rriten vetëm për 2,5 për qind”, theksoi Nedelkov.

Sipas tij, me gjasë Ministria e Kulturës nuk ka bërë plan adekuat për shfrytëzimin e mjeteve dhe, siç tha, “ndoshta për këtë arsye Ministria e Financave nuk miraton rritjen e pagave mbi 12 për qind, aq sa është rritja e pagës minimale këtë vit”.

 

Exit mobile version