Në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të cilat pritet të mbahen më 2 prill, të drejtën për të votuar e kanë edhe serbët që jetojnë në Kosovë. Kjo vlen edhe për serbët që jetojnë në Graçanicë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Këtë të drejtë, ata pritet ta realizojnë duke e shfrytëzuar dyshtetësinë.
Por, Goran Marinkoviq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë se nuk e ka të qartë nëse serbët do të mund ta realizojnë këtë të drejtë.
“Pavarësisht që zgjedhjet këtu në Kosovë janë vënë në pikëpyetje, po megjithatë, nëse mbahen, sigurisht që do të dalim dhe do ta mbështesim kandidatin më të mirë. Presim që ai kandidat të punojë për të mirën e bashkësisë serbe në Kosovë, por edhe për interesin e të gjitha bashkësive që jetojnë në Kosovë”, theksoi Marinkoviq.
Njohësi i zhvillimeve politike, Nenad Maksimoviq nga Qendra për Tolerancë dhe Paqe, thotë se serbët e Kosovës dalin në votime për të dëshmuar lojalitetin ndaj shtetit të Serbisë.
“Serbët tradicionalisht tregojnë lojalitet ndaj shtetit të Serbisë duke votuar për kandidatin në pushtet. Kjo është pasojë e presionit të madh mbi popullatën, i gjithë sistemit, përmes një kushtëzimi subtil për përkrahje”, tha Maksimoviq.
Por, disa qytetarë të Graçanicës thonë se janë të lodhur nga zgjedhjet.
Radojka Deniq, qytetare e Graçanicës, thotë se nuk e ka ndërmend të dal të votojë për zgjedhjet presidenciale serbe.
“Nuk më shkon ndër mend të votoj. Për kë të votoj? Nuk do të votoj për askënd”, tha Deniq.
Miroslav Jorgiq, qytetar i Graçanicës, vlerëson se është e pakuptimtë situata në të cilën gjenden serbët.
“Në zgjedhje do të dal. Por nuk do të votoj për askënd. Nuk më duhet kjo, sepse nuk mund kjo të jetë ‘nëna Serbi’, ndërkaq unë jetoj në Kosovë”, tha Jorgiq.
Megjithëkëtë, ish deputeti Marinkoviq, vlerëson se serbët duhet të pajtohen me këtë situatë.
“Duhet të pajtohemi me faktin se jetojmë në Kosovë, por mund të votojmë për presidentin tonë në Serbi, që do të punonte për interesin e bashkësisë serbe në Kosovë”, tha Marinkoviq.
Por, si mund të shihet marrëdhënia e serbëve të Kosovës me shtetin e Serbisë dhe me shtetin e Kosovës, në të cilin jetojnë?
Maksimoviq e vlerëson si marrëdhënie jonormale.
“Kjo është ndoshta një marrëdhënie goxha skizofrenike, kur funksionon në një sistem dhe je i kushtëzuar nga ligjet e atij sistemi. Në anën tjetër, ekziston një lojalitet tradicional ndaj sistemit nën të cilin ti më nuk funksionon”, theksoi Maksimoviq.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbia ka marrë vendim që për zgjedhjet presidenciale serbe, të 2 prillit, serbët e Kosovës të votojnë në 90 vendvotime. Lehtësimin e procesit, siç është thënë, do ta bëjë misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian. /rel/