Site icon Telegrafi

Në Yerevan u luajt futboll, kurse në Prishtinë u luajt me nxënës!

 Po ta festonin gjermanet ose italianet suksesin në futboll, sikur e festoj Komuna e Prishtinës, sigurisht se do ta humbnin gjysmën e vitit shkollor. Nëse për kualifikim në kampionat evropian, nxënësit duhet ta humbin një ditë mësimi, atëherë nëse e fiton kampionatin duhet me humb (festuar) një gjysëmvjetor. Fat i mirë, që kampionati organizohet në pushimin veror, sepse përndryshe është dashur që t’i “gëzohemi” eliminimit sa më të shpejt, të kthehet në shtëpi, sepse përndryshe do na i merrte në qafë fëmijët tanë në Prishtinë.

Sidoqoftë, ekipi i jonë kombëtar, me kualifikimin e parë në një kampionat evropian (Franca 2016) na bëri të gjithëve të ndihemi krenarë. Dhe askush nuk mund t’ia ulë ritmin e gëzimit në çdo zemër të shqiptarit. Por, shtrohet pyetja: Kujt ju desh ai show i tmerrshëm në rrugët e Prishtinës me nxënës? Gjithë ditën e hënë, rrugët e Prishtinës u marshuan nga nxënës me uniforma shkollore, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe duke brohoritur slogane të ndryshme kombëtare. Ata shpesh nuk mund t’i përcillte as Policia e Kosovës dhe shpesh gjendej masa e tyre në mes të kolonave të automjeteve.

A ishin të gjithë këta fëmijë jetim? Ku ishin prindërit e tyre dhe si ndiheshin kur shikonin lojën me fëmijët e tyre? Ku ishin drejtorët, mësimdhënësit e stafi tjetër i shkollës?! Çuditem për prindërit, sepse sa i përket udhëheqësve dhe mësimdhënësve të shkollave aspak.

Ata (personeli i shkollës) kanë qenë në detyrat e përditshme (duke luajtur shah, duke komentuar ndeshjen, gjinia femërore duke bashkëbiseduar mes veti për serialet turke). Por, mësimdhënësit dhe drejtoria e shkollave kanë një arsye për të heshtur. Duhet heshtur, sepse ata që u kanë dhënë nxënësve kiflet me dalë në rrugë për të festuar, këtyre iu kanë dhënë kontratat. Prandaj, është dashtë me heshtë.

Mbi të gjitha ku është ligji? Nëse fëmijët tanë nuk i mbron ligji, atëherë kë duhet ta mbrojë ai. Dihet se arsimi parauniversitar në vendin tonë funksionon në bazë të dy ligjeve themelore, që janë ligji për arsimin parauniversitar LIGJI Nr. 04/L-032, dhe ligji për arsim në komunat republikës së Kosovës Ligji Nr. 03/L-068, si dhe një numër të udhëzimeve administrative, vendimeve, rregulloreve që përcakton shumë qartë rolin që kanë të gjithë përgjegjësit në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Prandaj, për lojën me nxënës rrugëve të kryeqytetit, përveç atyre që luajtën me ta, përgjegjësinë e mbajnë të gjithë.

Një porosi që vlen për të gjithë (nxënësit, prindërit, mësimdhënësit, udhëheqësit e shkollave), por jo për ata që luajtën më fëmijë të Prishtinës është: Djelmoshat që na bënë krenar të dielën me lojën e tyre, punën e tyre, talentin e tyre, që na dërguan për herë të parë në një kampionat evropian, shumica për të mos thënë të gjithë, nuk janë edukuar dhe zhvilluar në një ambient mësimor sikur të tuajin. Shumica nga ta janë edukuar nëpër shkolla evropiane, ku politika qe 200 vite e tutje nuk i fut duart.

 

 

 

Exit mobile version