Site icon Telegrafi

Në xhamitë e Kosovës ligjërohet edhe për zgjedhjet

Në xhumanë fundit para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, në disa xhami në tërë vendin, sikurse edhe në xhaminë “Gazi Mehmet Pasha” në Prizren ligjëratën e xhumasë vendosën ta mbajnë pikërisht për zgjedhjet.

Imami i kësaj xhamie, Orhan Bislimaj, tha se është e rëndësishme që qytetarët të dalin për të votuar, por fillimisht pati një lutje.

“Zgjedhjet të kalojnë mënyrën më të mirë, në mënyrë festive, pa bërë përçarje, pa bërë polarizime në mesin e popullit tonë”, ka deklaruar ai.

Kurse Bislimaj tha që është e rëndësishme që qytetarët të votojnë për ata që mendojnë se janë më të mirët, në fushatë të cilat ata besojnë që vendi ka nevojë për përmirësim dhe asesi për hatër të dikujt.

“Kur të votojnë qytetarët, ne të shikojnë se cili kandidat, si kjo parti me i përmbushë aspiratat e mia për shtetin e Kosovës për periudhën të ardhshme katër vjeçare. Kur voton, e ta dini që është një lloj dëshmi para Zotit dhe para popullit”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë edhe në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, tërthorazi u përmendën zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Allahu nuk ia ndryshon gjendjen e një populli derisa ata mos ta ndryshojnë vetveten. Dhe për ta ndryshuar veten tonë për të mirë dhe për ta përmirësu qenien dhe ardhmërinë tonë në shtetin tonë, për ta respektu gjakun e dëshmorëve, për ta respektuar atë që u dha shumë për lirinë tonë”, deklaroi imami i Xhamisë së Madhe.

Ligjërata të tilla megjithatë nuk ishte në të gjitha xhamitë e Kosovës./TV Dukagjini/

Exit mobile version