Mega kabineti i Qeverisë Haradinaj me 21 ministra dhe 64 zëvendësministra të emëruar së paku deri më sot, përveç që është duke krijuar probleme për vendosjen e tyre nëpër zyre dhe gjetjen e veturave është duke krijuar edhe probleme për të punësuarit nëpër ministri.
“Rehatimi” i shumë personave partiak nëpër poste zëvendësministrash ka bërë që atyre tu mos ua dinë vendin pasi që ka ministri, që numri i zëvendësministrave ka shkuar deri në 6 veta.
Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e cila udhëhiqet nga Dardan Gashi deri më tani ka të emëruar tre zëvendësministra, Faruk Nura, Cerim Bajrami dhe Arian Daci, shkruan Telegrafi.
Por ky numër i zëvendësministrave ka bërë që emri i zëvendësministri Daci t’u ngatërrohet, nga Arian në Arianit.
Edhe pse në uebfaqen e kësaj ministrie ai figuron si Arian Daci.
“Zv. ministri Arianit Daci ka pritur në zyrë afaristin nga diaspora, kosovarin Afrim Imeri, bashkinvestitor i ‘San Pellegrino’, fabrikë e njohur e ujit dhe e shamponit, e cila pritet të shtrihet edhe në Republikën e Kosovës.”
E lajmi për interesimin e diasporës kosovare e ka gëzuar zv. ministrin Daci.
“Shtatë milionë euro, një shumë premtuese për fillimin e investimeve të diasporës në atdheun e tyre, në Kosovë. Zëvendëskryeministri Gashi ka përçuar mesazh gjithandej diasporës shqiptare të vijnë në Kosovë. Ne do të jemi këtu për t’ju ndihmuar”, ka thënë zv. ministri Arianit Daci”, është thënë në komunikatën e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike. /Telegrafi/