Telegrafi

Në Vushtrri dhe në Lipjan fillon zbatimi i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”

Ky projekt, monitorohet dhe bazohet në rekomandimet e Komitetit ndërministror të programit ”Shkollat Promovuese të Shëndetit” nga Ministria e Arsimit, Shkëncës dhe e Teknologjisë (MASHT), Ministria e Shëndetësisë (MSH), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS).

Nën kujdesin e Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe në bashkëpunim me Drejtoratet për Arsim, Shëndetësi dhe Kulturë, ditën e premtë, me datën 24 tetor 2014, zyrtarisht fillon zbatimi i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur” në Institucionet parashkollore dhe fillore të Komunës së Vushtrrisë. Manifestimi qëndror mbahet në orën 10:00 në Institucionin Parashkollor publik “FOLEJA” në Vushtrri.

Po ashtu, nën kujdesin e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti dhe në bashkëpunim me Drejtoratet për Arsim, Shëndetësi dhe Kulturë, ditën e enjtë, me datën 6 nëntor 2014, fillon zbatimi i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur” edhe në Institucionet parashkollore dhe fillore të Komunës së Lipjanit. Manifestimi qëndror mbahet në orën 10:00 në Institucionin Parashkollor publik në Lipjan.

Projekti është i fokusuar në edukimin e fëmijëve dhe nxënësve përmes shfaqjeve, poezive, vizatimeve, maskotave, modeleve, fotografive, videove, broshurave, banerave dhe është forma më e mirë për promovimin e shëndetit të dhëmbëve te fëmijët dhe nxënësit, përkatësisht te gjeneratat e reja.

Me këtë rast, zyra qëndrore e projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur” njofton të gjithë studentët dhe profesionistët shëndetësorë të drejtimit të Stomatologjisë të cilët kanë dëshirë të angazhohen dhe të japin kontribut në realizimin e këtij projekti në qytetet e tyre, që lajmërohen në adresat zyrtare të projektit. Ideator dhe udhëheqës i projektit është stomatologu Xheladin Ujkani. 

Sponsor medial i projektit është Portali Informativ Telegrafi.com dhe Radiotelevizioni 21. /Telegrafi/