Kryetari i AAK-së, Ramush Haradiaj, ka përkujtuar 9 qershorin e vitit 1999, kur është nënshkruar marrëveshja e Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë.
“Pas mbi tetë dekadave okupim, mbi pesëmbëdhjetë muajve luftë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar 22 vjet më parë, shënon fillimin e tërheqjes së ushtrisë, policisë e paramilitarëve serb, që kishin terrorizuar dhe ushtruar gjenocid mbi popullatën e paarmatosur shqiptare në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Më tej, Haradinaj ka thënë se “Lufta Çlirimtare e Kosovës, me kauzën e saj të drejtë dhe pastërtinë, kishte arritur të bashkojë në ndihmë të saj, të gjitha shtetet demokratike, të prira nga aleanca ushtarake NATO, e cila për tre muaj rresht bombardoi Jugosllavinë, shtetin e fundit fashist në Evropë”.
“Kosova është projekt i përpjekjeve historike që kulmuan me luftën e UÇK-së, ndërsa ishte gjaku i dëshmorëve dhe aleatët ndërkombëtar në krye me ShBA-të që sollën çlirimin dhe pavarësimin e vendit tonë. Sot, ajo promovon stabilitetin dhe është faktor sigurie në rajon, me aspirata që të bëhet pjesë e familjes së NATO-s”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/