Telegrafi

Në vjeshtë mbledhje e përbashkët e qeverive të Maqedonisë dhe Shqipërisë (Video)

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët në vjeshtën e këtij viti. Lajmin e ka bërë të ditur, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Dimitrov, sot në Tiranë.

“Ne sot ramë dakord për të zhvilluar mbledhjen e parë të dy qeverive tona në vjeshtën e këtij viti në Pogradec dhe ky do të jetë një zhvillim i ri sepse do të na krijojë mundësinë të qartësojmë sektorët e bashkëpunimit për realizimin e projekteve strategjike me fonde europiane. Shqipëria dhe Maqedonia e kanë të gjithë potencialin për një aks të ri zhvillimor.”

Shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov sot qendron Shqipëri për vizitë zyrtare ku është pritur nga homologu i tij, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati. Pas takimit me Bushtain Dimitrov do të takohet me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta. Ndërkohë është anuluar takimi me Kryeministrin Rama./Alsat-M/