Në një klinikë universitare për otorinolaringologji në Vjenë, është kryer një prej operacioneve të para në botë me teknologjinë e re robotike.
Si kanë bërë të ditur nga qyteti i Vjenës, pajisja e cila gjatë implantimit koklear, në mënyrë krejtësisht automatike dhe minimalisht invazive mundësoi qasje precize në veshin e brendshëm, transmeton Telegrafi.
Kirurgjia robotike prej vitesh është pjesë shtesë e kirurgjisë. Robotët përdoren si dora e zgjatur e kirurgut, dhe përcjellin lëvizjet e tyre në hapësirat më të vogla të mundshme.
Teknologjia e re me të cilën është kryer intervenimi kirurgjik në Vjenë, funksion pa “menaxhim” manual, pra është tërësisht automatike dhe me ndihmën e sistemit të navigimit është shumë precize.
“Teknologjia e re mund të krahasohet me autopilotin në aeroplan. Sikurse autopiloti edhe roboti punon me ndihmën e sistemit preciz të navigimit, që përmban të gjitha informacionet e nevojshme për veshin e brendshëm në të cilin vendoset një implant. Roboti lëviz në mënyrë autonome, pa e drejtuar askush”, ka shpjeguar dr. Wolfgang Gstottner nga klinika për otorinolaringologji.
Megjithatë, sistemi natyrisht se nuk funksionon plotësisht pa përfshirjen e faktorit njeri. Para operacionit bëhet modeli tredimensional i veshit të brendshëm bazuar në tomografitë kompjuterike.
Nëse përllogaritet që roboti ka qasje pa u penguar në vesh, dhe që nuk i prek arteriet apo nervat, operacioni është i mundur. Kirurgu vetëm duhet ta kryej prerjen dhe ta vë implantin.
Roboti gradualisht kryen shpimin, e ndërkohë kryen kontrolle gjatë procesit. E nëse disa prej vlerave të pacientit nuk janë të kënaqshme, roboti në mënyrë automatike ndërprenë operacionin të cilin e vazhdon kirurgu.
Teknologjinë e robotit “Hearo” e ka zhvilluar kompania zvicerane për teknologji medicinale Cascination së bashku me kompaninë nga Insbruku Med-El, kanë bërë të ditur nga qytetit i Vjenës. /Telegrafi/