Site icon Telegrafi

Në Vitin e Ri 2016, lufta për ndriçimin e gjenocidit serb në Kosovë vazhdon

Në muajin shkurt të vitit 2015 lexuesit shqiptar iu ofrua libri që zhvesh propagandën serbe kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe luftës çlirimtare të Kosovës në veçanti. Siç e kam theksuar në faqen e parë të librit “Mashtrimi i Madh”, ky studim u realizua me ndihmën dhe kontributin e një numri të konsiderueshëm të miqve të mi. Falë mbështetjes dhe kontributit të tyre, argumentet shkencore për gjenocidin serb në Kosovë dolën në dritë.

Por, publiciteti ishte i domosdoshëm që përmbajtja e librit të njihej sa më shumë nga lexuesi shqiptar. Shfrytëzoj rastin në këtë fundviti t’i falënderoj përgjegjësit e mediumeve të ndryshme në gjuhën shqipe të cilat i dhanë një vend të rëndësishëm publicitetit lidhur me botimin e librit tim apo duke më dhënë hapësirën e nevojshme që ta shpalos përmbajtjen e librit në intervistat televizive. Një falënderim i veçantë u takon edhe bartësve të institucioneve të arsimit të lartë që më mundësuan të bëj promovimin e librit në Universitete të shumta publike dhe private dhe në manifestime të ndryshme kulturore në nivel komunal (në Kosovë dhe në Maqedoni) apo të karakterit ndërkombëtar siç ishte rasti kur albanologu tetovar ua shpërndau librin seminaristëve të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë në Prishtinë.

Meqenëse propaganda antishqiptare ishte e përmasave ndërkombëtare kufizimi vetëm në botimin e argumenteve në gjuhën shqipe nuk mjaftonte. Me qëllim që kjo vepër t’i ofrohet opinionit publik ndërkombëtare një numër gjithnjë e më i madh i miqve u mobilizuan rreth këtij projekti. Në mesin e tyre edhe bashkëveprimtarë të moçëm, aktualisht bartës të institucioneve të Kosovës. Angazhimi gjithnjë e më i madh i miqve bëri që të përfundojë përkthimi i librit në gjuhën angleze dhe atë frënge. Madje, në fillim të dhjetorit, ndërmarrja “Dukagjini” nga Peja shtypi 1500 ekzemplarë falas të cilat kanë filluar të shpërndahen falas në qarqet diplomatike dhe njerëz me influencë në fusha të ndryshme. Lufta politike vazhdon.

Serbia kreu gjenocidin në Kosovë dhe ende nuk është dënuar për krimin më të rëndë që njeh njerëzimi. Faktet nuk flasin vet! Ato duhet t’i bëjmë “të flasin” për të nxjerrë në shesh të vërtetën e plotë për atë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës. Por, mbështetja ndërkombëtare në përpjekjet për të ngadhënjyer drejtësia është jetike. Për të rritur gjasat e mbështetjes ndërkombëtare zhveshja e mashtrimit të madh që është bërë me opinionin publik ndërkombëtar lidhur me luftën e Kosovës është e domosdoshme. Madje, kusht paraprak.

Në kontekstin e kësaj lufte politike shpërndarja e librit në sa më shumë gjuhë botërore është i domosdoshëm. Ky projekt është bërë projekt i përbashkët i shumë miqve të mi, të cilët rreth çështjeve tjera shquhen për divergjenca të shumta në mes veti. Uroj që në Vitin e Ri 2016 të realizojmë suksese të reja në luftën tonë politike për ngadhënjimin e të vërtetës lidhur me gjenocidin serb në Kosovë.

Me respekt të thellë dhe mirënjohje të veçantë për secilin nga miqtë e mi. Uroj për të gjithë shqiptarët, kudo qofshin në botë, një Vit të Ri plot suksese individuale dhe kolektive.

Exit mobile version