Nga 4,520 zona të rrezikshme nga minat në të gjithë Kosovën, pas luftës, tashmë kanë mbetur vetëm 66 të tilla. Pas pastrimit të tyre qëndrojnë shumë njerëz dhe punë e madhe, rrëfimin e disa prej të cilëve do të mund ta ndiqni në kronikën në vazhdim.
Pastrimi i Kosovës nga minat e luftës pritet të përfundojë në vitin 2030. Një ekip deminerësh nisen për një zonë të minuar. Rrugët e terrenet janë të gjata e të ndryshme, por qëllimi mbetet përherë i njëjtë, pastrimi i Kosovës nga mjetet e pashpërthyera….
Një hapësirë tokësore në Shalë të Bajgorës supozohet që ka mjete të pashpërthyera të mbetura nga lufta e fundit në Kosovë.
Secili nga ta merr detyrën për çka janë të thirrur dhe fillon krehja e terrenit.
Detektori i njërit nga operatorët fillon të lëshoj tingull jo të zakonshëm.
Aty mund të ketë diçka. Prandaj edhe bëhet hapësira gati për eskivim apo groposje.
Ashtu doli të jetë, është një pjesë metali e një mine.
Dhe të gjitha këto gjetje duhet të shënjohen me mjete specifike në mënyrë që secili operator të dijë se çfarë është gjetur në atë zonë të caktuar.
“Shkopi i gjatë një metër e 20 cm me kokë të kuqe është për të markuar kufirin e zonave të rrezikshme ma shiritin ‘mina’, ndërsa ky shkopi tjetër 1 metër e 20 cm me kokë të bardhë bëhet në zona administrative ku është zona e pastër me shiritin ‘jo mina’”, ka thënë Bedri Peci.
E gjithë kjo ishte demonstrim se çfarë bëjnë çdo ditë operatorët e “Norvegian People’s Aid”, organizatë e sponsorizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Shteti i Norvegjisë dhe BE-ja, që të bëjnë pastrimin e terrenit në Kosovë.
Gjithçka bëhet në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-in.
“Aktualisht jemi duke operuar në dy lokacione, në këtë lokacionin këtu në Shalë të Bajgorës ku kemi katër ekipe dhe katër ekipe ndodhën në Mokna, në rajonin e Zubin Potokut”, ka thënë menaxheri operacional, Hajredin Kryeziu.
Fokusi i tyre është pikërisht veriu i Kosovës ku FSK-ja për shkak të marrëveshjes nuk mund të depërtoj atje.
Dhe prania e tyre në Kosovë që nga viti 1999 ka bërë që edhe angazhimi dhe kryerja e punëve të jetë e madhe.
“Deri tani NPA ka bërë pastrimin e 10 milion metrave katëror dhe kanë mbetur mbi 9 milion metra katëror të cilat kanë nevojë për pastrim”, ka shtuar Kryeziu.
Falë pranisë së organizatave të tilla dhe punës së FSK-së tash zonat e rrezikshme nga minat janë pothuajse të pastërta në gjithë Kosovën.
Drejtori i Qendrës për Deminim në Ministrinë e Mbrojtës, Ahmet Sallova tha se viti 2030 do ta gjejë Kosovës e pastruar nga mjetet e pashpërthyera.
“Bazuar në situatën, në vitin 1999 kemi pasur 4520 zona të rrezikshme, fal punës së organizatave të deniminimit ky numër është reduktuar në 66 dhe mund ta shihni vet se sa progres i madh është bërë. Ne kemi bërë planin strategjik dhe parashihet që se bashku me FSK-në dhe dy organizata që janë prezente të pastrojmë Kosovën deri në vitin 2030”, ka thënë Sallova.
Ky ekip përbehet nga më shumë se 100 operatorë të cilët janë nga komuniteti shqiptar e serb.
Bashkëpunimi i tyre është i vazhdueshëm dhe pa probleme.
Këto zona tashmë ata i ecin me krenari pasi që pas pastrimit të tyre është arrit që në këtë hapësirë tashmë të vijnë edhe njerëz për të jetuar.
Nga zonë e rrezikshme e minave – në zonë të pastruar për jetesë, është qëllimi i gjithë këtij ekipi punëtorësh. /Dukagjini/