Në vitin 2024, qytetarët e Maqedonisë do të kenë tetë fundjavë të zgjatura. Nga gjithsej 11 ditë jopune për të gjithë qytetarët, tetë janë ose të premten ose të hënën dhe janë të lidhura me fundjavën, ose janë të dielën dhe sipas ligjit, ditët jopune kalojnë të hënën.
Fundjava e parë e zgjatur për të gjithë qytetarët do të jetë gjatë festave të Vitit të Ri, kur ditë jopune është data 1 janar, e hënë. Dita e dytë jopune që përkon me fundjavën është 7 janari, dita e Krishtlindjes, e cila është të dielën, por kalohet si ditë jopune në datën 8 janar, e hënë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në një fundjavë të zgjatur qytetarët do të festojnë dhe pushojnë për festën e krishterë të Pashkëve, kur ditë jopune për të gjithë qytetarët është 6 maji, e hëna, si dhe 24 maji – Dita e edukatorëve sllavë “Shën Kirili dhe Metodi”, e cila është ditë jopune dhe është të premten.
Po ashtu ka një lidhje mes festës dhe fundjavës më 2 gusht, në ditën e Republikës, e cila është të premten, si dhe më 8 shtator, në ditën e pavarësisë, që është të dielën, por sipas ligjit, ajo zhvendoset për të hënën. Dita e Kryengritjes Popullore – 11 Tetori është një tjetër ditë jopune që lidhet me fundjavën, sepse është e premte, si dhe 8 dhjetori “Shën Klimenti i Ohrit” që është të dielën, por ditë jopune do të jetë e hëna 9 dhjetor.
Ditë jo pune për të gjithë qytetarët është dita e parë e Fitër Bajramit më 10 prill (e mërkurë), dita e punëtorëve 1 maji (e mërkurë) dhe 23 tetori – Dita e luftës revolucionare maqedonase (mërkurë).
Ndërsa vetëm për qytetarët myslimanë, ditë jopune është 16 qershori (e diel), dita e parë e Kurban Bajramit./Telegrafi/