Site icon Telegrafi

Në vitin 2021 mbi 9 milionë euro mallra kontrabandë të konfiskuara

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në kuadër të luftimit të kontrabandës gjatë vitit 2021 kanë konfiskuar mallra në vlerë prej mbi 9 milionë euro, ose mbi 50 për qind më shumë sesa në vitin 2020.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se në vitin 2021 Dogana e Kosovës në 264 raste ka konfiskuar mallra që kanë hyrë ilegalisht në Kosovës në vlerë prej 9,096,050 euro. Ndërsa në vitin 2020 kishte gjithsej 113 raste të konfiskimit të mallrave në vlerë të përgjithshme prej 4,360,809 euro.

“Duke luftuar korrupsionin në kufi, kemi ndaluar futjen e mallrave të kontrabanduara që pasurojnë kriminelët, grupet e individët e lidhur me ta, që dëmtojnë buxhetin duke i ikur tatimit dhe dëmtojnë bizneset duke prishur konkurrencën”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Sipas Qeverisë, të hyrat nga Dogana e Kosovës janë 1.37 miliardë euro apo 320 milionë më shumë se vitin e kaluar.

“Kjo është bërë pa ndryshime në politika fiskale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version