Site icon Telegrafi

Në vitin 2019 do të rikostruohet autostrada Tetovë-Gostivar

Vitin e ardhshëm pritet që të fillojnë punët për rikostruimin dhe zgjerimin e autostradës Tetovë-Gostivar. Kjo është bërë e ditur nga drejtori i Ndërmarrjes Shtetërore “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu.

Sipas tij, projekti është gati dhe punohet me dinamikë të përshpejtuar në këtë drejtim.“Me investimet e reja të cilat planifikohen edhe nga ana e qeverisë një ndër karakteristikat ose një ndër investimet më të rëndësishme për rajonin e Pollogut do të jetë rikonstruimi total si dhe zgjerimi i rrugës magjistrale Tetove-Gostivar . Aktivitetet në këtë drejtim janë duke lëvizur me një dinamikë pak sa më të përshpejtuar , në përfundim e sipër është edhe projekti i cili parasheh zgjerimin e kësaj rruge dhe besoj se deri në fund të këtij viti projekti të jetë i gatshëm sepse në vitin 2019 duhet të fillojnë edhe punimet në teren për rikonstruimin e plotë të kësaj rruge” deklaroi drejtori Gajur Kadriu.

Krahas zgjerimit të rrugës po ashtu planifikohen edhe rrethoja prej metali që do të pamundësonte qasjen e lirë të kafshëve në autostradë.Shpesh herë rrethojat janë dëmtuar por edhe plaçkitur.

Ndryshe, siguria në magjistralen Tetovë-Gostivar është në nivelin më të ulët. Vite me radhë kësaj magjistrale nuk i kushtohet rëndësi dhe e njëjta është lënë pas dore dhe pa asnjë investim. Në këtë aks rrugor çdo ditë regjistrohen aksidente të cilët i shkaktojnë kafshët pasi që nuk ka mburoja prej metali të cilët do të parandalonin qasjen e kafshëve në rrugë. Këtë e ka konfirmuar edhe policia e Tetovës e cila thekson se janë shkaktuar shumë dëme materiale gjatë aksidenteve ku shkaktarë janë qentë endacak.

Nga Policia e Tetovës thonë se vetëm brenda nëntë muajve ka pasur 50 aksidente, por ky numër nuk është real pasi që aksidente të kësaj natyre ka thuajse çdo ditë. Mungesa e mburojave përgjatë kësaj autostrade ka bërë që jo vetëm qentë endacak të dalin në rrugë dhe të shkaktojnë aksidente por edhe kafshë të tjera kanë qasje të lehtë në këtë rrugë. Po ashtu dukuri tjetër është edhe vjedhja e këtyre mburojave nga persona të papërgjegjshëm të cilët e marrin dhe e sheshin, ndërsa nuk mbajnë llogari për dëmet që mund të shkaktohen nga vjedhja e këtyre mburojave./koha.mk/

Exit mobile version