Site icon Telegrafi

Në vitin 2019 djathi i Sharrit bëhet me tregues gjeografik

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, do të vazhdojë mbështetjen institucionale për krijimin e treguesit gjeografik për djathin e Sharrit, i cili pritet të bëhet gjatë vitit të ardhshëm. Përmes krijimit të këtyre treguesve, produktet blegtorale do të promovohen edhe më shumë dhe bashkë me këtë do të jenë edhe më konkurrente në tregun e huaj.

Kështu është shprehur zëvendësministri, Mevludin Krasniqi, gjatë një takimi të grupit punues për projektin për procedimin e standardit të Djathit të Sharrit sipas indikatorëve gjeografik, i cili është mbajtur në Ambasadën e Francës në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi, në të cilin kanë marrë pjesë, përfaqësuesi i Ambasadës së Francës në Republikën e Kosovës, Joseph Giustinian, përfaqësuesit e prodhuesve të djathit të Sharrit dhe Organizatës joqeveritare për Pronësi Intelektuale, është diskutuar për të arriturat e deritashme në kuadër të projektit për procedimin e standardit të Djathit të Sharrit sipas Indikatorëve Gjeografik dhe bashkëpunimin për procedim të mëtejmë. Gjatë këtij takimi, është theksuar se gjatë vitit 2019 do të finalizohet e gjithë proceduara për njohjen e Djathit të Sharrit sipas standardeve për Treguesit Gjeografik.

Me këtë rast, zëvendësministri Krasniqi, ka rikonfirmuar mbështetjen dhe gatishmërinë e MBPZHR-së për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme për përmbylljen e suksesshme të këtij projekti.

Projekti për procedimin e standardit të Djathit të Sharrit sipas Indikatorëve Gjeografik, sipas legjislacionit nacional dhe standardeve të BE-së, është duke u implementuar nga MBPZHR-ja dhe MTI-ja, me mbështetje të fuqishme nga Ambasada e Francës në Prishtinë dhe institucionet franceze. /Telegrafi/

Exit mobile version