Nga: Anton Chekhov
Përktheu: Bujar Hudhri
“Unë ju dashuroj. Ju jeni jeta ime, lumturia ime, gjithçka! Ndjesë që po jua shpreh, por nuk kam më forcë të vuaj dhe të hesht. Nuk kërkoj të më dashuroni, por t’ju vijë keq. Kini mëshirë për mua. Ejani sonte në orën tetë të mbrëmjes, tek tenda e vjetër … E quaj të tepërt të shënoj emrin tim, por mos u trembni për letrën anonime. Jam e re, e mirë … ç’ju duhet më shumë?”
Pasi e lexoi letrën, Pavel Ivaniç Vihodcev, një njeri familjar dhe serioz, mblodhi supet dhe pa e ditur se ç’të bënte, filloi të fshijë ballin.
“Kush është kjo djallushe?” – mendoi. – “Jam burrë i martuar dhe papritur një letër e çuditshme … idiote! Kush ta ketë shkruar?”
Pavel Ivaniçi e shpalosi edhe një herë letrën, e lexoi dhe pështyu.
“Ju dashuroj”, – përqeshi ai. – “Kujton se ka gjetur ndonjë djalë të ri! Ja, po vij të të marr ty dhe drejt e tek tenda! Nënokja ime, i kam harruar prej kohësh këto romanca. Hëm, do të jetë ndonjë e rrugëve. Eh, ç’komb që janë gratë!”
Gjatë tetë viteve martesë, Pavel Ivaniçi i kishte harruar këto drithërima dhe s’kishte marrë ndonjë letër përveç atyre përshëndetëse dhe prandaj, sado që ai të përpiqej të tregohej trim para vetes, letra që mori e kishte vënë në siklet, e kishte tronditur.
Një orë pasi kishte marrë letrën, po rrinte shtrirë në divan dhe mendohej: “Natyrisht, nuk jam djalë i ri dhe s’kam ndër mend të vrapoj në takim tek ajo, por, megjithatë, interesante do të ishte që ta dija: kush e paskësh shkruar? Hëm … shkrimi pa dyshim është prej dore gruaje … Letra është shkruar me çiltërsi, me shpirt, prandaj zor se është shaka … Ka të ngjarë të jetë ndonjë psikopate apo ndonjë vejushë … Kush mund të jetë?”
Zgjidhjen e këtij problemi e vështirësonte edhe fakti se në të gjithë lagjen e vilave nuk njihte asnjë tjetër, përveç gruas së tij.
“E çuditshme”, – mendonte. – “Unë ju dashuroj. …po kur ka pasur mundësinë t’më dashurojë? Ç’grua e çuditshme! Më dashuruaka pa më njohur fare, pa e ditur se ç’njeri jam … Ndoshta është shumë e re dhe romantike, meqë mund të bjerë në dashuri me dy-tri shikime. Por … kush të jetë?”
Befas Pavel Ivaniçit iu kujtua që dje dhe para tri ditësh, kur po shëtiste përreth vilave, e takoi disa herë një biondinë e re, veshur me një fustan të kaltër, me hundë paksa me majë ngritur. Një e dy, kjo biondinë shikonte drejt tij dhe kur ai u ul në stol, ajo erdhi dhe u ul pranë tij …
“Ajo?” – mendonte Pavel Ivaniçi. – “S’ka mundësi! Një qenie e tillë, e brishtë, mund të dashuronte një plak si unë, vallë? Jo, kjo do të ishte e pamundur!”
Pas dreke Pavel Ivaniçi, ndërsa shikonte gruan, mendonte: “Më shkruan që është e re dhe e mirë … S’është plakë, domethënë … Hëm … Të flas sinqerisht, me ndërgjegje, s’jam dhe aq plak dhe i keq, që të mos më dashurojnë …”
– Ç’ke që mendohesh? – e pyeti gruaja.
– Po ja … më dhemb ca koka, – gënjeu Pavel Ivaniçi.
Është marrëzi t’i kushtosh vëmendje një vogëlime, sikundër ishte kjo letër dashurie, ia mbushi mendjen vetes. Filloi të qeshë me të dhe autoren e saj, por … eh! Armiku i njeriut është i fortë. Pas dreke Pavel Ivaniçi u shtri në krevat dhe në vend që të flinte, mendonte: “Por, ama, mbase ajo shpreson se do ta takoj! Ç’budallaçkë! Ja, e përfytyroj se si do të nervozohet kur nuk do të më gjejë në tendë! … Por unë s’kam për të shkuar … As që dua t’ia di për të!”
Por, po e përsëris, armiku i njeriut është i fortë.
“Megjithatë, po sikur të shkoja, për kuriozitet …” – mendoi pas një çerek ore. – “Ta shikoj nga larg se kush mund të jetë … Do të ishte interesante ta shikoj!”
U ngrit nga krevati dhe filloi të vishej.
– Për ku po zbukurohesh kështu? – e pyeti e shoqja, kur vuri re se ai po vishte këmishën e pastër dhe kravatën e modës.
– Po ja … desha të shëtis … koka më dhemb ca … hëm.
Pavel Ivaniçi u vesh dhe si priti orën tetë, doli nga shtëpia.
Kur para syve të tij, në sfondin e gjelbër të mbuluar me rrezet e diellit që perëndonte, filluan të duken figurat e burrave dhe grave, aty filloi t’i rrahë zemra.
“Cila prej tyre të jetë?” – mendonte. Por, biondinën sikur nuk po ia zinte syri … Hëm … Në qoftë se e ka shkruar ajo, atëherë ajo duhet të jetë ulur në tendë.
Pavel Ivaniçi u fut në rrugicën që të shpinte tek tenda e vjetër.
“Po e shikoj nga larg”, – mendonte, duke ecur përpara, me ndrojtje. – “Po pse të druhem? Unë po shkoj në takim! Eh, more budalla! Ec me guxim përpara! Po sikur të futem në tendë?”
Pavel Ivaniçit filloi t’i rrahë edhe më tepër zemra … Padashur, pa ditur as vetë, përfytyroi gjysmerrësirën e tendës … Në përfytyrimin e tij, doli trupi i hajthëm i biondinës, me fustan të kaltër dhe me atë hundën me majë përpjetë … Përfytyroi se si ajo, duke pasur turp për dashurinë e saj, me trupin që i dridhej kryekreje, po afrohet me ndrojtje drejt tij, merr frymë me zor dhe papritur i hidhet në qafë dhe e shtrëngon.
“S’do të kishte asgjë të keqe, po të mos isha martuar”, – thoshte me vete, duke përzënë mendimet mëkatare. – “Megjithatë … një herë në jetë nuk do të më pengonte ta provoja, se ja, do të vdesësh, pa e marrë vesh se çfarë ishte kjo shaka … Po gruaja … Ç’bëhet me të? Lavdi Zotit, tetë vjet nuk jam larguar një hap prej saj … Tetë vjet shërbim, i panjollosur!”
Me trupin që dridhej, duke mbajtur frymën, Pavel Ivaniçi iu afrua tendës së mbuluar me rrush të egër dhe hodhi vështrimin brenda saj … Vinte era lagështirë … “Siç duket, nuk ka njeri”, – mendoi kur po hynte në tendë dhe mu në qoshe, shqoi një siluetë njeriu.
Ishte një siluetë burri … Si e vështroi me vëmendje, njohu vëllain e gruas, studentin Mitja, që banonte po në vilën e tij.
– A, qenke ti? … – murmuriti i pakënaqur duke hequr kapelën dhe u ul.
– Po, unë … – u përgjigj Mitja.
Kaluan dy minuta në heshtje …
– Më falni mua, Pavel Ivaniç, – filloi Mitja, – por do t’ju lutesha të më linit vetëm … Kam për të bërë një hartim dhe prania e cilitdo qoftë do të më pengonte.
– Po ti shko në ndonjë rrugicë të errët … – vërejti me zë të butë Pavel Ivaniçi. – Në ajrin e freskët është më lehtë të mendosh. Pastaj, unë kisha dëshirë të merrja një sy gjumë këtu në stol … këtu nuk është edhe aq vapë …
– Ti do që të flesh, kurse unë duhet të mendoj për hartimin … – turfulloi Mitja. -Hartimi është më i rëndësishëm!
Pllakosi heshtja përsëri … Pavel Ivaniçi, i cili e shfrenoi plotësisht përfytyrimin e tij dhe një e dy u vinte veshin hapave që dëgjonte, befas kërceu përpjetë dhe zuri të fliste me një zë qaraman:
– Eh, unë të lutem ty, Mitja! Ti je më i vogël se unë dhe duhet të kesh respekt. Unë jam i sëmurë dhe … dua të fle … Largohu!
– Ky është egoizëm … Përse u dashka me domosdo të flesh pikërisht këtu? Unë nuk dal …
– Po unë po të lutem! Le të jem egoist, budalla, dhespot … por unë po të lutem! Hera e parë në jetë!
Mitja rrotulloi kokën.
“Çfarë kafshe …” – mendoi Pavel Ivaniçi. – “Nuk mund ta takoj në sy të tij! Në asnjë mënyrë!”
– Më dëgjo, Mitja, – tha ai, – po të lutem për herë të fundit … Tregoje veten që je njeri i mençur, i shkolluar …
– Nuk e kuptoj pse po këmbëngul, – mblodhi supet Mitja, – të thashë nuk dal që nuk dal prej këtu.
Ndërkohë, papritur, në tendë u duk një fytyrë gruaje me hundën me majë përpjetë.
Pasi vuri re Mitjan dhe Pavel Ivaniçin, ajo u vrenjt dhe sakaq u zhduk …
“Iku!” – mendoi Pavel Ivaniçi, duke shikuar gjithë inat Mitjan. – Pa këtë maskaranë dhe iku! U përmbys gjithçka!
Pasi priti edhe pak, Pavel Ivaniçi u ngrit, veshi kapelën dhe tha:
– Ti je një kafshë, je i poshtër, maskara! Po! Kafshë! I poshtër dhe … budalla! Midis nesh çdo gjë mbaroi!
– Shkëlqyeshëm! – murmuriti Mitja duke u ngritur dhe duke veshur kapelën. – Ta dini se ju, me praninë tuaj këtu, më keni bërë një dëm që s’kam për ta harruar derisa të vdes!
Pavel Ivaniçi doli nga tenda dhe pa qenë në vete nga inati, u drejtua te vila e tij … Atje nuk e qetësoi as pamja e tavolinës së shtruar për darkë.
“Të paraqitet një herë në jetë rasti, – mendonte, – dhe ja, të vjen dikush që të të pengojë! Tani ajo është e fyer … e vrarë!”
Gjatë darkës Pavel Ivaniçi dhe Mitja shikonin pjatat e tyre dhe heshtnin të mërzitur … Të dy e urrenin me gjithë shpirt njëri-tjetrin.
– Po ti, ç’ke që qesh? – iu vërsul Pavel Ivaniçi së shoqes. – Vetëm budallenjtë qeshin kot!
Gruaja shikoi fytyrën e inatosur të burrit dhe nuk u përmbajt …
– Çfarë letre ke marrë sot në mëngjes? – e pyeti ajo.
– Unë? … Unë, asnjë … – u hutua Pavel Ivaniçi. – Ç’po na trillon …
– Hë, hë, trego! Pranoje që ke marrë! Po, këtë letër ta kam dërguar unë! Për fjalë të nderit, unë! Ha-ha!
Pavel Ivaniçi u skuq nga inati dhe uli kokën e shikoi pjatën.
– Shaka prej budallai, – murmuriti ai.
– E po, ç’të bësh! Ja, gjyko vetë … Na duhej të lanim dyshemetë, por qysh të të nxirrja nga shtëpia? Vetëm me këtë mënyrë mund të dalësh … Por ti mos u nxeh, budalla. Që në tendë të mos mërziteshe, i dërgova edhe Mitjas një letër të tillë. Mitja, ti ishe në tendë?
Mitja zuri të qeshë dhe nuk e shikoi më me urrejtje rivalin e tij. /Gazeta “ExLibris”/