Telegrafi

Në vendkalimin kufitar në mes RMV-së dhe Serbisë brenda ditës kalojnë 24 mijë automjete

Për 24 orë në vendkalimin kufitar Preshevë – Tabanoc në të dyja drejtimet kanë kaluar rreth 24.000 vetura, informojnë mediat në Serbi, duke iu referuar burimeve të Policisë Kufitare.

Në vendkalimin kufitar Preshevë në dalje të Serbisë drejt Maqedonisë së Veriut të martën pasdite është pritur nga 60 deri 90 minuta, ndërsa radhët më të mëdha ishin në hyrje të Serbisë nga drejtim i Maqedonisë së Veriut.

Siç bëri të ditur Lidhja Auto-moto e Maqedonisë në terminalet në vendkalimet kufitare në dalje të Serbisë, në vendkalimin kufitar Preshevë sot pritet 30 minuta.

Policia kufitare e Serbisë këshillon që para nisjes në rrugë të kontrollohet gjendja në vendkalimin Preshevë përmes LAMM dhe kamerat e MPB-së, ndërsa në rast të rrëmujës të shfrytëzohet vendkalimi kufitar alternativ Prohor Pçinski.

Këto ditë në vendkalimin kufitar Preshevë – Tabanoc në dalje të Serbisë janë të hapura 12 pika kalimi, ndërsa në hyrje nga drejtimi i Maqedonisë së Veriut funksionojnë shtatë pika.

Vendkalimi kufitar Preshevë është integruar dhe nuk ekziston zonë e ndërmjetme.