Telegrafi

Në vend se ta hedh granatën e dorës larg, ushtarit të ri i bie te këmbët – instruktori kinez e shpëton në momentet e fundit

Instruktori që po trajnonte ushtarët e rinj në hedhjen e granatës së dorës, është ballafaquar me një situatë të pakëndshme, dhe falë përvojës dhe profesionalizmit ia shpëtoi vetes dhe ushtarit të ri jetën.

Ngjarja është zhvilluar në një kazermë në Kinë, ku për tre sekonda i kanë shpëtuar për “një fije floku” vdekjes, transmeton Telegrafi.

Gjithçka ndodhi më 14 dhjetor gjatë trajnimit në Zhangjiakou në provincën Hebei.

Rekruti i identifikuar vetëm si Li po trajnohej nga instruktori Cui Chengliang, kur bëri një gabim që ka mundur t’i kushtojë me jetë.

Ai në vend se ta hedh përtej “murit mbrojtës” granatën e dorës, atij i shpëton nga shuplaka dhe bie para këmbëve të tij dhe të eprorit.

Megjithatë po të mos ishte instruktori që e kapi dhe kërcyen matanë “murit mbrojtës”, ata sigurisht se tani do të ishin të vdekur.

Granata shpërtheu tre sekonda më vonë, duke bërë që të ngritet një “re” pluhuri nga fuqia e shpërthimit. Për fat të mirë dyshja kanë shpëtuar pa ndonjë lëndim. /Telegrafi/