Ashtu siç u paralajmërua, sot filloi viti akademik në Universitetin ”Nënë Tereza” në Shkup, universiteti i gjashtë shtetëror në vend, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ky universitet është i përbërë nga pesë fakultete – për shkenca teknike, ndërtimtari dhe arkitekturë, shkenca teknologjike, informatikë dhe për shkenca sociale, me gjithsej 14 programe studimore.
Me këtë rast, rektori Aziz Pollozhani theksoi se ky universitet do të përqëndrohet në nevojat e tregut të punës dhe të kohezionti social të brendshëm, që sipas tij, është parakuisht për hapa të suksesshëm drejt integrimit gjithshoqërorë.
Ndërkaq, ministri i arsimit, Pishtar Lutfiu, tha se dija, forca intelektuale, profesionalizmi dhe cilësia janë funksione të cilat i kërkon bota e sotme moderne.
Përndryshe, për universitetin e ri janë ndarë 80 milionë denarë nga buxheti i shtetit. Ligjëratat do të mbahen në ndërtesën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë dhe në atë të UEJL-së./Telegrafi/