Universiteti i Evropës juglindore, me një manifestim rasti, të hënën (7 mars 2016), e shënoi Ditën e Shkollës Shqipe dhe Ditën e Mësuesit, njofton Telegrafi.
“Fjalimet e mia çdo herë i filloj, duke i përshëndetur studentët dhe pastaj profesorët e tyre, por sot përshëndetja dhe nderi u takon profesorëve, të cilët kanë rolin kryesor në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri drejt një zhvillimi të gjithanshëm arsimor dhe kulturor të shoqërisë sonë”, tha rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, duke nënvizuar se 7 Marsi është një histori e pasur e arsimit tonë, por ne si shoqëri duhet ta mbindërtojmë vetveten me performanca zhvillimore. “Prandaj, misioni i 7 Marsit vazhdon të jetë aktual edhe sot. Ne e kuptojmë këtë mision si obligim për t’u dhënë gjeneratave të ardhshme njerëz sa më të kualifikuar me dije dhe kulturë. Ky është misioni i UEJL-së, një model ky mjaft i pranueshëm ku bashkëjeton shkëlqyeshëm tendenca për zhvillim kulturor e arsimor dhe nevoja e tregut për kuadro të aftë”, nënvizoi rektori Dika.
Në këtë manifestim, me recitale u prezantuan studentë të drejtimit të Komunikimit ndërkombëtar të UEJL-së dhe të Kolegjit privat “Woodrow Wilson”, të Tetovës dhe Trios harkore të studenteve të USHT-së./Telegrafi/