Gjykatat e Kosovës, nga dhjetori i kaluar kanë një ueb-faqe të përbashkët, që funksionon nën ombrellën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Gjyqësori-rks.org, u funksionalizua me qëllimin për të rritur transparencën, megjithatë jo të gjitha gjykatat themelore, nga shtatë sa janë, e arrijnë këtë gjë, raporton KTV.
Një prej ‘defekteve’ është edhe publikimi i orareve të gjykimeve, pasi nëse shikohet kjo ueb-faqe, i bie se në gjykatat e Prishtinës, Mitrovicës dhe atë të Prizrenit, nuk është planifikuar asnjë seancë.
Në një përgjigje për KTV-në, zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, është arsyetuar me numrin e madh të seancave që caktohen dhe mungesën e stafit. Në oraret që dërgohen, shpeshherë ndodh që mungojnë njoftimet për seanca më me interes për media dhe publikun, si gjykimet e figurave publike në vend. Derisa disa gjykata nuk arrijnë t’i publikojnë të gjitha, ose fare oraret e seancave në ueb-faqe, ato të Gjakovës, Gjilanit, Pejës dhe Ferizajt, të paktën një gjë të tillë e bëjnë.
Lidhur me rregullimin e publikimit të emrave të plotë ose inicialeve në këto orare, Zyhdi Haziri, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, thotë se kjo rregullohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për çka, në rastet e reja publikojnë vetëm inicialet.