Site icon Telegrafi

Në UBT u organizua një ceremoni solemne në pritje të studentëve të rinj

Në një ceremoni solemne në ambientet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u bë pritja e studentëve të rinj të të gjitha drejtimeve të vitit akademik 2022/2023, të cilët kanë zgjedhur UBT-në, institucionin lider të arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon, për përjetësimin e qëllimeve të tyre akademike.

Me emocione të veçanta, Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi u shprehu mirëseardhje studentëve të rinj, duke u premtuar mbështetje të parezervë dhe duke u dëshiruar suksese në vitet e studimeve dhe përmbushjen e dëshirave dhe qëllimeve të tyre.

“Natyrisht që ne e kuptojmë dëshirën e individit që të ketë një jetë sa më të mirë, sa më me perspektivë, që t’i ndihmojë vendit, që të jetë një rol model për shoqërinë, për vendin dhe për globin, dhe për këtë ne po kujdesemi që të punojmë me juve dhe së bashku për tre vitet e ardhshme ju t’i arrini qëllimet tuaja akademike dhe profesionale”, është shprehur rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi potencoi edhe arritjet e UBT-së, si dhe vlerësimet e organizatave ndërkombëtare për arsim të cilat e radhitin UBT-në ndër institucionet më të mira në vend, rajon dhe botë, si dhe arritjet në realizimin e një ekosistemi modern, duke u ofruar studentëve një infrastrukturë të pajisur me teknologjitë më të fundit, kurrikulë të bazuar në modelet më të mira evropiane dhe amerikane, si dhe staf të kualifikuar për çdo fushë të jetës.

Ish-studentja e UBT-së, tashmë e punësuar në cilësinë e koordinatores në Fakultetin Sistemet e Informacionit në UBT, Maria Lumezi shprehu përvojën e saj përgjatë studimeve në UBT, duke e konsideruar si një nga përvojat më të jashtëzakonshme të jetës së saj.

“Përvoja ime në UBT përgjatë studimeve ishte e jashtëzakonshme dhe ka tejkaluar pritshmëritë e mia. Tre vite të studimeve kanë qenë shumë atraktive, me vizita të ndryshme studimore, me organizime dhe aktivitete të ndryshme. Përveç këtyre, më e rëndësishmja është mundësia e punësimit që më është ofruar nga UBT akoma pa i përfunduar studimet”, ka thënë Lumezi.

Edhe Fjolla Krasniqi, e sapo diplomuar në Fakultetin Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, theksoi përvojën e saj përgjatë studimeve në këtë program, duke u dëshiruar studentëve të rinj suksese të pafundme në rrugëtimin e tyre akademik.

“Studimet e mia në këto tre vite akademike kanë qenë mjaft të suksesshme dhe kam arritur suksesin që as unë vet nuk e kam pritur. Në UBT i keni mundësitë më të mira të studimit, të cilat nuk i keni në institucione të tjera, sikurse vizita të ndryshme, punëtori dhe organizime të tjera, të cilat do të ju ndihmojnë të përfitoni dhe përforconi njohuritë tuaja”, ka potencuar Krasniqi.

Për plotësimin e këtij organizimi madhështor dhe në pritje të studentëve plot emocion dhe entuziastë për një fillim të ri akademik dhe profesional, u përkujdes Fakulteti Muzikë Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi në UBT, me studentin e talentuar Auron Deva.

Exit mobile version