Site icon Telegrafi

Në tri qytete falet namazi i xhenazes në mungesë për gazetarin saudit, Jamal Khashoggi

Për gazetarin e vrarë saudit, Jamal Khashoggi, është falur namazi i xhenazes në mungesë në xhaminë Fatih në Stamboll.

Por, siç shkruan AnadolyAgency, sot në mëngjes pas namazit të sabahut (të mëngjesit) edhe në Mesxhid-i Nebevi në Medine është falur namazi i xhenazes në mungesë.

Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje nga namazi i xhenazes së falur nga imami i Mesxhid-i Nebevi.

Gjithashtu, përveç Stambollit dhe Medinës, namazi i xhenazes në mungesë është falur edhe në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë.

Salah Khashoggi, i biri i gazetarit të vrarë të përmes llogarisë së tij në Twitter kishte bërë të ditur se do të lexohen lutje në Medine pas namazit të mëngjesit, si dhe në Mekë pas namazit të xhumasë.

Më herët, Salah tha se ngushëllimet për babanë e tij do të pranohen nga e premtja deri të dielën në shtëpinë në qytetin Jeddah.

Deklaratat e familjes Khashoggi për namazin e xhenazes në mungesë dhe pranimin e ngushëllimeve erdhi pas konferencës për shtyp në kryeqytetin Rijad, të zëdhënësit të kryeprokurisë së Arabisë Saudite, Shelan esh-Shelan.

“Në lidhje me vrasjen e Khashoggit është kërkuar dënimi me vdekje për 5 persona”, ka njoftuar Shelan esh-Shelan, duke theksuar se urdhri për formimin e ekipit që vrau Khashoggin është dhënë nga ish-shefi i shërbimit sekret të Arabisë Saudite, Ahmed al-Assiri, ndërsa urdhri për vrasjen e ka dhënë kreu i ekipit.

Gazetari Jamal Khashoggi u vra më 2 tetor në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ku kishte shkuar për dokumentacion. Kufoma e tij ende nuk është gjetur.

Kryeprokuroria saudite dje tha se 11 persona janë akuzuar në lidhje me vrasjen, ndërsa për pesë prej tyre është kërkuar dënim me vdekje. /Telegrafi/

Exit mobile version