Telegrafi

Në trasenë e Autostradës ende mbretëron qetësia

Ndërtuesit e autostradës Vërmicë-Merdar janë në përgatitje të terrenit për nisjen e punimeve, ndërkaq data zyrtare e paralajmëruar për fillimin e punës ka kaluar tashmë dy-tri ditë.

Autostrada pritet të nisë rrugëtimin tek pasi të bëhen disa matje gjeodezike të cilat sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit përfshihen në vazhdën e ndërtimit të autostradës. Sipas kësaj ministrie, punimet mund të konsiderohen te filluara , meqë thonë ata edhe matjet që bëhen në këtë drejtim përfshihen në procesin e punës. Të pakapshëm në telefon për gazetën kanë qenë këtë të hënë zyrtarë për ndërlidhje me media të konsorciumit “Bechtel & Enka”.

“Aktualisht janë duke u bërë gati kampet dhe bartja e pajisjeve për ndërtim. Gjithashtu po zhvillohen edhe matjet gjeodezike të cilat përcaktojnë edhe fazat e punimeve dhe terrenin e shtrirjes së trasesë”, ka thënë Xhevdet Pozhari, zëdhënës i Ministrisë së Transportit.

Ai nuk ka përcaktuar nëse punimet në mihjen e trasesë nga do t’i bjerë autostrada do të nisin këtë javë apo do të shtyhen deri në javët e ardhshme.
“Nuk e di se kur do të nisin punimet në heqjen e dheut dhe përgatitjen e trasesë, por të gjitha punimet përgatitëse hyjnë në fazën e ndërtimit të autostradës”, ka thënë Pozhari.

Sipas tij, të martën do të bëhen edhe vizita të zyrtarëve të kësaj ministrie tek vendi ku edhe pritet të nisë filli i autostradës.

Ndërtimi i autostradës do t’i kushtojë 80 deri 100 milionë euro buxhetit të Kosovës për këtë vit. Viti 2011 do të gëlltisë edhe 270 milionë euro, ndërkaq viti 2012 rreth 200 milionë. Tani për tani në buxhetin e Kosovës janë të deponuara rreth 50 milionë euro për ndërtimin e projektit më të madh rrugor në vend, ndërkaq paratë e tjera do të sigurohen nga shitja e aseteve shtetërore, e nëse nuk dalin, do të shfrytëzohen edhe kreditë. Për segmentin e parë do të shfrytëzohen paratë nga rishikimi i buxhetit që pritet të bëhet në qershor të këtij viti.

Çmimi për një kilometër rrugë dhe kostoja e përgjithshme e segmentit të parë të autostradës me gjatësi prej 27 kilometrash, ndërtimi i të cilit solemnisht ka nisur të dielën, mbahet sekret nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Por në tërësi, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit, kostoja e ndërtimit të autostradës do të lëvizë midis 700 deri në 1 miliard e 200 milionë euro. Kostoja prej 700 milionë eurosh do të paguhet nëse autostrada kalon nëpër terren të rrafshët dhe nëse mënjanohen në tërësi tunelet. /Koha/