Site icon Telegrafi

Në Tiranë u nënshkrua memorandumi për bashkëpunim mes Këshillit të Ambasadorëve në RMV dhe Shqipëri

Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve, i përbërë nga kryetari Muhamed Halili dhe anëtarët e Bordit Ekzekutiv Nano Ruzhin dhe Azis Pollozhani, është pritur dje në Tiranë nga kryetari i Këshillit të Ambasadorëve shqiptarë Besnik Mustafaj dhe Bordi Udhëheqës i Këshillit.

Në takim u diskutua dhe u miratua korniza e bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet dy Këshillave, si dhe vendosja e bashkëpunimit me organizata të tjera joqeveritare të ngjashme në Evropë dhe më gjerë.

“Si fillim i bashkëpunimit do të jenë aktivitetet e përbashkëta për realizimin e vizitës në rajon nga një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve amerikanë, e cila do të ndodhë në prill të vitit të ardhshëm”, kumtuan sot Bordi Ekzekutiv i Këshillit të Ambasadorëve.

Në takim u nënshkrua edhe Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet dy Këshillave për aktivitete dhe projekte të përbashkëta nga çështjet rajonale, integrimi në BE, siguria, demokratizimi dhe çështjet civile.

“Aktivitetet e përbashkëta do të reflektojnë parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, vlerat evropiane të lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe mundësive të barabarta. Të dy Këshillat do të organizojnë projekte dhe konferenca të përbashkëta të dakorduara në frymën e vullnetit të mirë të shprehur në Memorandum”, theksohet në kumtesën e Këshillit të Ambasadorëve.

Exit mobile version