Site icon Telegrafi

Në Tiranë për herë të parë mbahet Samiti i NATO-s, diskutohet edhe për Kosovën

Nesër do të mbahet për herë të parë në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak.

Shefat e shtabeve të vendeve anëtare të NATO-s sot kanë mbërritur në kryeqytetin shqiptar dhe janë pritur fillimisht nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila ka premtuar se Shqipëria do të shtojë numrin e forcave ushtarake në Afganistan me një togë.
Ata janë mbledhur për të diskutuar për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit perëndimor, si dhe për të dhënë rekomandime për vazhdimësinë e misioneve “Resolute Support” në Afganistan dhe KFOR në Kosovë.

Në takimin me presidentin e Republikës Ilir Meta, kryetari i Komitetit Ushtarak, gjenerali Petr Pavel vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në radhët e Aleancës dhe pjesëmarrjen e forcave tona të armatosura në misione ndërkombëtare.

“Kjo është një konferencë vjetore dhe është shumë e rëndësishme jo vetëm sepse ne mblidhemi në këtë format një herë në vit, por për shkak të kompleksitetit të çështjeve. Kemi një sërë çështjesh për të diskutuar dhe disa vendime të rëndësishme për të marrë për të ecur përpara. Shpresoj për një takim të suksesshëm”, deklaroi Pavel.

Nga ana e tij, presidenti Meta, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura e siguroi gjeneralin Pavel për angazhimin e tij në përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë ndaj NATO-s.

Nesër shefat e shtabeve të NATO-s do të zgjedhin kryetarin e ardhshëm të Komitetit Ushtarak të Aleancës, i cili do ta marrë detyrën në verën e vitit 2018.

Exit mobile version