Site icon Telegrafi

Në Tiranë mbahet gara e parë e hipizmit

Një aktivitet ndryshe nga ato që qytetarët në Tiranë janë mësuar të shohin zakonisht. Të dielën në kryeqytet, mijëra banorë u mblodhën për të shijuar garën e kërcimit me kuaj, një kompeticion ndërkombëtar që vjen në Shqipëri për herë të parë.

Aktiviteti i sotëm, i zhvilluar në ambientet pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, shënoi hapjen e garave ndërkombëtare, ndërsa Bashkia e Tiranës, si pjesë e organizatorëve, ka menduar që ngjarje të tilla të kthehen në traditë.

“Ne do ta përsërisim këtë aktivitet. Gjatë vitit do të ketë 3 ose 4 kampionate të nivelit ndërkombëtar. Këtë zonë para stadiumit “Selman Stërmasi” duam ta kthejmë në një pikë të rëndësishme për sporte të ndryshme. Edhe për njerëzit e thjesht, duke pirë diçka, duke ndenjur, është interesante sepse është një e diel ndryshe”, shprehet Blendi Gonxhe, kreu i drejtorisë së parqeve, Bashkia Tiranë.

16 kalorës nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës garuan me njëri-tjetrin.

Pjesë të garës u bënë anëtarë të Federatës Shqiptare të Hipizmit dhe sipërmarrës privatë, të apasionuar pas këtij sporti.

Aktiviteti u cilësua nga organizatorët si test i rëndësishëm për të provuar kapacitetin e këtij terreni dhe përkrahjen e qytetarëve për zhvillimin e garave të tilla.

Kërcimi me kuaj do të kthehet sërish në Tiranë, me një kalendar zyrtar, të cilit do t’i bashkëngjiten gjatë vitit një sërë aktivitetesh të ngjashme.

Exit mobile version