Në Tetovë sot u shënua hapja e kopshtit të ri të fëmijëve “Rilindja” pranë Institucionit publik për kujdes të fëmijëve “Rinia”.
Në hapje solemne morën pjesë ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ambasadori i BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mihalis Rokas dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami dhe drejtoresha Fatlinda Jaja, ndërsa më pas pati edhe fjalime rasti.
Kopshti i ri “Rilindja” ka kapacitet të kujdeset për 165 fëmijë të moshës parashkollore.
“Çdo fëmijë meriton të rritet dhe të zhvillohet në një mjedis që do të jetë i shëndetshëm dhe stimulues për të, që të mund të zhvillojë potencialin e tij. Për këtë arsye tregohet kujdes i veçantë që objektet të ndërtohen në përputhje me të gjitha standardet dhe kushtet më bashkëkohore si parakusht për edukim cilësor parashkollor”, theksoi ministri Limani.
Ai shprehi mirënjohjen e tij për Delegacionin e BE-së në vend për mbështetjen që marrim nga Komuna e Tetovës për përpjekjet për avancimin e mbrojtjes së fëmijëve dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, por edhe për institucionin publik “Rinia”, për profesionalizmin në punë dhe përpjekjet për kujdes të pandërprerë ndaj më të vegjëlve.
Ambasadori Rokas porositi se BE-ja është krenare që i mbështetë projektet për arsim dhe politikë sociale në vend.
“Investimi në kopshtin në Tetovë e simbolizon prioritetin të cilin të gjithë ua japim gjeneratave të reja. Ata që do ta formojnë të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të BE-së. Së bashku, të gjithë ne synojmë drejt politikave arsimore dhe sociale të cilat do t’i prëforcojnë evropianët me diturinë e nevojshme dhe shkathtësi me shërbime adekuate për mbështetje sociale. Gjithçka fillon nga kopshtet”, tha Rokas.
Kryetari i Komunës, Bilall Kasami e ceki rëndësinë e hapjes së kopshtit për qytetarët e kësaj komune. Ai i përgëzoi punonjësit për punën e tyre, duke theksuar përgjegjësinë e tyre për procesin edukativo-arsimor të fëmijëve.
“Edhe pse nuk jeni prindërit e tyre biologjikë, mund të jeni një zëvendësues i mirë për ta. Ju keni përgjegjësinë për të ndërtuar dhe edukuar individë dhe individë të përgjegjshëm të cilët do të kontribuojnë në shoqëri, sepse prindërit e tyre morën përgjegjësinë për të punuar, paguar taksat dhe me ato taksa për të siguruar pagat tuaja”, tha Kasami.
Ndërtimi është financuar përmes programit vjetor të aksionit “Mbështetja e BE-së për arsim, punësim dhe politikë sociale” për vitin 2017 me buxhet të përgjithshëm prej rreth 805.000 euro, prej të cilave BE-ja financon rreth 705.000 euro dhe bashkëfinancon shteti nga buxheti nacional prej rreth 100.000 euro.