Vetëm 3 kilometra nga qendra e Tetovës, përkatësisht në rrugën që lidh fshatin Sellcë, ndodhen këto mbeturina. Kjo paraqet problem serioz për qytetarët. Ata ankohen për gjendjen e mjerueshme të cilën e shohin për çdo ditë. Qytetarët druajnë se kjo papastërti nga mbeturinat mund të ndikojë në përhapjen e epidemive, por si problem kryesor shohin edhe frikën nga qentë të cilët mblidhen në këtë vend dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve.
“Po të hiqen mbeturinat do ishte mirë. Për shkak të mbeturinave vjen erë e keqe, mblidhen qentë endacak, për shkak të tyre edhe njerëzit nuk mund të ecin në rekreacion, fshatarët nuk mund të jenë të lirë. Por tek ne është problem. Ne nuk duhet të hedhim. Por duhet të pastrohet sa më shpejt. Fillimisht ne duhet ta mirëmbajmë pastaj komuna, pasi që ajo e ka pastruar disa herë mirëpo përsëri hudhet”, tha për TV21, Adem Selmani, banor i Sallcës.
“Duhet të pastrohet mirëpo këtu të gjithë hedhin mbeturina. Qenë shumë, unë kam shtallën aty afër të gjitha dhitë qentë mi kanë ngrënë. Prej poshtë natën vijnë me vetura dhe i hedhin këtu mbeturinat. Një ditë aty plastikat para derës mi kanë hedhur dhe unë i kam mbledhur. Shpesh herë e kanë pastruar mirëpo përsëri për një kohë të shkurt përsëri mbushet”, tha Nexhmedin Fetai, banor.
Por, sipas kryetares së komunës së Tetovës, me kyçjen e fshatit Sellcë në sistemin e ndërmarrjes publike ky problem ka filluar të zbutet. Sipas saj duhet që të ngritet vetëdija e qytetarëve për mos hudhjen e mbeturinave.
“Para 4 vjetëve asnjë fshat i malësisë së Sharrit nuk ka qenë në sistemin e mbledhjes së hedhurinave nga ana e ndërmarrjes publike, si rezultat i saj kemi pas shumë deponi të egra në zonën e Sellcës dhe në zonën e Malësisë së Shipkovicës dhe kjo funksionon jashtëzakonisht mirë, pagesat janë të rregullta dhe ka mundësuar që të bëjmë pastrime më stabile të deponive ekzistente”, u shpreh Teuta Arifi, Kryetare e Komunës së Tetovës.
Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla e përkujtoi kryetaren Arifi se problemi në hyrje të fshatit Sellcë nuk është problem i kaluar dhe se mbeturinat ndodhen aty.
“Nuk duhet lënë pa përmendur një mal mbeturinash, në hyrje të fshatit Sellcë, zonja Arifi e përmendi në kohë të shkuar, por shpresoj të jetë e shkuar sepse diku në fillim të tetorit isha vet atje lart dhe ai mal me mbeturina ishte aty dhe nuk është pastruar. Përveç se duhet të punohet për edukimin e qytetarëve, duhet po ashtu në këtë drejtim t’i edukojmë edhe politikanët tanë që të punojnë për t’i zgjidh këto probleme dhe për t’i larguar mbeturinat nga rruga”, tha Arianit Xhaferi, nga Eko Guerilla.
Për zgjidhjen e problemit me deponitë në rajonin e Pollogut nevojiten pajtueshmëri mes krerëve të më shumë komunave të Maqedonisë perëndimore pasi që ata të vetme nuk mund të zgjidhin këtë problem vlerësuan të pranishmit në debatin e organizuar nga Civica Mobilitas në të cilën organizatat joqeveritare kërkuan vetëdije më të lartë të qytetarëve për kujdesin ndaj ambientit./TV21/Telegrafi/