Qeveria e Maqedonisë së Veriut informon se në seancën e sotme, e ka mirtuar informacionin dhe ka sjellë vendim për marrëveshje në mes Qeverisë së RMV-së, e përfaqësuar nga Drejtoria për Zhvillim Teknologjik dhe kompanisë “NEXT.E.GO MOBILE”.
Me këtë marrëveshje, hapet rruga për investim milionësh, gjegjësisht hapjen e një fabrike që do të prodhojë makina elektrike e-go, e cila do të ndërtohet në zonën industriale në Tetovë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ky investim shumëmilionësh i “NEXT.E.GO MOBILE” me seli në Gjermani dhe Drejtorisë për Zhvillim Teknologjik, do të hapë 3-4000 vende të reja pune. Kjo është hera e parë në industrinë e automobilave që në vendin tonë do të prodhohet një makinë e plotë dhe sigurisht që për herë të parë do të prodhohen makina elektrike”.
“Përfitimet e këtij investimi janë të shumëfishta – nga hapja e vendeve të reja të punës, eksporti i produkteve me vlerë të shtuar të lartë, transferimi i njohurive dhe teknologjive, hartëzimi i vendit tek investitorët e huaj në këtë fushë, deri te kontratat dhe puna shtesë për kompanitë vendase”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndryshe, në seancën e sotme u morën dy vendime që i referohen mbrojtjes së prodhimit vendor dhe standardeve të konsumatorit./Telegrafi/