Telegrafi

Në Tetovë fillon projekti „Vozitja e sigurtë me motoçikletë“

Departamenti për parandalim pranë Sektorit të punëve të brendshme (SPB) në Tetovë, sot ka nisur realizimin e projektit parandalues-edukues „Vozitja e sigurtë me motoçikletë“, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Sipas policisë, vitin e kaluar kanë ndodhur 56 fatkeqësi komunikacioni me motoçikleta, nga të cilat, numri më i madh kanë qenë të mitur.

Qëllimi i projektit është ulja e këtij numri të fatkeqësive dhe të edukohen pjesëmarrësit në komunikacion, posaçërisht të rinjtë. Projekti parasheh mbajtje ligjëratash për nxënësit e vitit të parë në shkolla të mesme, kurse në çdo të dytën të shtune të muajit, deri në fund të këtij viti, do të mbahen praktika komunikacioni për motoçiklistë.

Këto praktika do të mbahen në stacionet policore të Tetovës dhe Gostivarit./Telegrafi/