Papunësia e lartë, mungesa e një perspektive për të ardhmen tek të rinjtë kosovarë dhe niveli relativisht i ulët i edukimit shkollor dhe universitar përbëjnë një koktej eksploziv për stabilizimin e vendit.
Shpresat e jetës të popullit të Kosovës janë të drejtuara kah rinia e vendit. Kosova është një nga vendet me popullsinë më te re jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Evropën: gjysma e Kosovarëve është më e re se 25 – vjeçar dhe 60% janë poshtë moshës 35 – vjeçare.
Këto shifra për të cilat shtetet Evropiane, që po “mplaken” sa më shumë, vetëm mund të ëndërrojnë, nuk paraqesin vetëm një potencial të rëndësishëm për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, por njëkohësisht dhe një faktor të rrezikshëm për stabilizimin, paqen dhe zhvillimin e vendit.
Duket qartë se politika në vend është para interesave të subjekteve politike, se sa ndaj interesave të popullit të Kosovës. Ç’do herë më shqetëson fakti se askush nga institucionet e vendit tonë nuk merren me çështjet qe na preokupojnë ne si rini e Kosovës, që fjala jonë të dëgjohej në instancat më të larta të shtetit.
Të dalë nga një luftë e tmerrshme në qershorin e vitit 1999, shumë të rinjtë kanë parë krejt ëndrra të tjera për të ardhmen e tyre, të cilat 10 vite pas përfundimit të luftës trishtuese në Kosovë, ende vazhdojnë të mbesin veç ëndrra. Pjesa dërrmuese e rinisë në Kosovë është pothuajse e pamundur të gjeje një vend punësimi.
Ky problem përfshin dhe absolventët e universitetit, që megjithëse me titull akademik vazhdojnë të jenë te varur nga prindërit nga ana financiare. Por dhe ata persona fatbardhë që pas shumë vështirësive ose ndërmjet lidhjeve që njohin, arrijnë të gjejnë një vend pune, duhen të kënaqen me rroga tepër te ulëta.
Shumë kosovarë të rinj për shkak të një mungese perspektive për të ardhmen janë të frustruar dhe reagojnë në mënyra të ndryshme: një pjesë mundohet t’i shpëtojë gjendjes pasive dhe pa shpresa ndërmjet emigracionit në shtetet perëndimore; disa e kalojnë shumicën e kohës me tepricë në kafene ose me aktivitete të tjera; ndërsa një pjesë shikon në angazhimin me aktivitete ilegale, bredhin rrugëve, konsumojnë drogë, si mundësi të vetme për të krijuar standarde të mira jetese dhe kështu po prijmë në listën e shteteve më të korruptuar të rajonit!
Si shembull kryesor mund ta marrim ditën e Evropës, kjo ditë që anekënd Evropës festohet, ndërkaq tek ne nuk ka mbetur edhe shume për tu festuar. Të rinjtë tanë këtë ditë bredhin rrugëve duke protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj institucioneve tona, të cilat aspak nuk merren me problemet dhe hallet që i preokupojnë rininë!
Derisa politikanët në Kosovë shpesh përdorin thënien se “rinia është ardhmëria jonë,” zëri i rinisë është harruar. Ata nuk janë të angazhuar në procesin vendimmarrës, madje as në vendimet lidhur me rininë.
Fryma rinore është gjaku më i pastër i ç’do vendi dhe shteti. Kjo rini ka nevojë për përkujdesje shtetërore, ka nevojë për arsim dhe të mos mbetet pa perspektivë, e kufizuar, e ndarë me urrejtje.
Ne si rini jemi e tashmja dhe e ardhmja e vendit, andaj institucionet e Kosovës duhet të bëjnë diçka më shumë për rininë, dhe fjala e tyre të dëgjohet kudo. Pres që sa më shpejtë rinia ta kalojë ketë krizë që e ka kapluar dhe ne të jemi si bashkëmoshatarët tanë të shteteve në rajon.