Site icon Telegrafi

Deklarohet edhe BE, pas takimit me Kosovën për MSA-në: BE shqetësim kryesor taksën ndaj prodhimeve të Serbisë e Bosnjës

Pas takimit të tretë të Këshillit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, është deklaruar edhe Bashkimi Evropian, me ç’rast ka bërë të ditur që edhe një herë ka kërkuar nga pala kosovare largimin e taksës 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës.

“Bashkimi Europian nënvizoi rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së, si dhe detyrimet kontraktuale, duke përfshirë në fushën e tregtisë dhe doganave. BE ka shprehur keqardhje për rritjen e tarifave të njëanshme të qeverisë për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, si dhe imponimin e barrierave jotarifore dhe insistoi në heqjen e tyre të menjëhershme”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Tutje në këtë komunikatë bëhet e ditur se BE-ja ka kërkuar poashtu që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë –Serbi, duhet të zbatohen.

“Bashkimi Europian nënvizoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, duke përshpejtuar dhe intensifikuar punën me mirëbesim në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha marrëveshjet e Dialogut të dakorduara tashmë duhet të zbatohen plotësisht pa ndonjë vonesë të mëtejshme, në veçanti marrëveshjen 2015 për Shoqatën / Komunitetin e komunave me shumicë serbe” thuhet tutje në këtë komunikatë të BE-së.

Lexo po ashtu Haradinaj, Mogherinit: Kosova ndjehet e tradhtuar dhe e zhgënjyer nga BE

Poashtu bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, Komisioni Europian miratoi një raport në korrik 2018 mbi përmbushjen e standardeve të mbetura. Vendimi mbi propozimin e Komisionit aktualisht është duke u shqyrtuar në Këshill dhe në Parlamentin Europian”, thuhet në komunikatë.

Pas takimit të MSA-së, kryeministri i Kosovës Ramush Hardanaj tha se Kosova ka disa kërkesa legjitime ndaj Bashkimit Evropian, sidomos ato që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbeten të izoluar. Ai rikujtoi edhe faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që i kishte kërkuar Bashkimi Evropian.

Ai e ka quajtur të padrejtë mbajtjen e qytetarëve të Kosovës të izoluar.

Po ashtu, Haradianj tha se ka kërkuar që dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë një rol më të madh në këtë proces. Përmes dialogut, Haradinaj tha se mund të zgjidhet edhe çështja e tarifës 100 për qind që Kosova u ka vënë prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina./Telegrafi/

Exit mobile version