Site icon Telegrafi

Në Strugë protestohet kundër guroreve

Banorët e fshatit Llabunishtë të Strugës dhe vendbanimeve përreth sot protestuan kundër hapjes së vazhdueshme të guroreve të reja në afërsi të fshatit. Ata shprehën shqetësimin se si pasojë e këtyre guroreve, dëmtohet shëndeti por edhe mjedisi i tyre jetësor. Brenda një perimetri prej një kilometri, sipas banorëve, ka pasur tre gurore, ndërsa kohët e fundit ka filluar të punojë edhe një tjetër, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Le të jetë kjo një thirrje për Ministrinë e Ekonomisë dhe të ministrive tjera që lëshojnë leje për hapjen e guroreve, se në këtë hapësirë prej një kilometër janë hapur tre gurore, ku jetojnë 10.000 njerëz,që ti tërheqin ato koncesione”, tha për Alsat-M, një banor.

“Katër prej tyre janë aktive, por mund të ketë edhe disa gërryes ilegal. Këtu pas disa vjetëve do të ketë lagje”, deklaroi Alia Tasimi, kryetar i bashkësisë lokale.

“Ky krim i tepruar që bëhet në Llabunishtë ka kaluar të gjitha kufijtë. Këto koncesione do të na vijnë nën themelet e shtëpive”, u shpreh një tjetër banor.

Sipas banorëve lejet për koncesionet e guroreve janë lëshuar pa pyetur popullatën vendase.

“Të gjitha partitë vijnë në Llabunishtë vetëm për interes dhe na përdorin për vota. Të gjitha partitë japin ryshfet diku 200, diku 500 euro. Ua paguajnë energjinë elektrike dhe të gjitha gjërat tjera ua paguajnë”, tha një banor.

Pranë gurores janë disa fusha sportive, por edhe shtëpitë e para. Banorët paralajmëruan se në shenjë proteste të premten do ta bllokojnë rrugën rajonale Strugë – Dibër./Telegrafi/

Exit mobile version