Site icon Telegrafi

Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës nga sot ofrohen edhe shërbimet e rezonancës magnetike

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, i shoqëruar ushtruesja e detyrës së Drejtores së Përgjithshme të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Dr. Narqize Arënliu – Hoxha, anëtarët e Bordit të SHSKUK-së, deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha –Kollçaku, mori pjesë në përurimin e zgjerimit të kapaciteteve shëndetësore në Spitalin Regjional të Pejës, respektivisht fillimin e shërbimeve përmes aparaturës së re të rezonancës magnetike.

Rritja e kapaciteteve shëndetësore është prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, dhe që nga sot, shërbimet e Radiologjisë do të ofrohen me aparaturë moderne edhe në Spitalin e Pejës për të vazhduar së shpejti edhe në spitalet e tjera të përgjithshme, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Me këtë rast, Ministri Vitia tha se një prej objektivave kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë mbetet shtimi i kapaciteteve shëndetësore që do të ndikojë drejtpërdrejte në mirëqenien e qytetarëve.

“Sot është lajm i mirë që më në fund rezonanca magnetike do të jetë në shërbim të qytetareve të Pejës, por edhe të komunave të tjera përreth. Kur ka vullnet, kur ka punë dhe kur nuk mungon angazhimi, brenda një periudhe edhe më të shkurtër mund të bëhet investimi i ardhshëm”, tha ndër të tjera ministri Vitia, i cili i njoftoi të pranishmit se tashmë është nënshkruar plani investiv për infrastrukturë edhe për pajisje në vlerë të 41 milionë eurove dhe se janë të mirëseardhura të gjitha kërkesat që do të ndikonin në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe më të mira shëndetësore.

Ky projekt, vlera e të cilit është 658 mijë euro, do të lehtësojë në masë të madhe punën e profesionistëve shëndetësorë si dhe do të përmirësojë shërbimet shëndetësore për qytetarët e këtij regjioni. Me aparaturën e re do të shtohen kapacitetet dhe e cila do të ndihmojë në dignostifikim dhe shtimin e shërbimeve imazherike nga të cilat do të përfitojnë pacientët. /Telegrafi/

Exit mobile version