Telegrafi

Në Spitalin e Pejës po trajtohen 65 pacientë me COVID-19, 10 prej tyre në gjendje të rëndë

Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, nga 65 pacientët të cilët po trajtohen në këtë spital, 10 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas njoftimit të spitalit, të infektuar me COVID-19 janë 6 mjek, 15 infermierë dhe 3 punëtor të shërbimit teknik.

Zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Naim Sahiti ka thënë për Telegrafin se janë dy mjek dhe një infermiere të shtrirë në spital duke u trajtuar, por që siç tha ai janë në gjendje stabile.

“Dy mjek dhe një infermiere janë të shtrirë në spital, ndërkaq pjesa tjetër e personelit shëndetësor të konfirmuar me COVID-19 janë duke u trajtuar në shtëpi. Mund të them se gjendja e mjekëve dhe infermierëve të shtruar në spital është stabile, nuk janë në gjendje të rëndë”, tha Sahiti.

Kurse sa i përket kapaciteteve të këtij spitali, Sahiti për Telegrafin tregoi se tashmë kanë liruar edhe një repart të këtij spitali nëse do të jetë e nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Në njoftim thuhet se 10 pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit.

“10 pacientë me COVID-19 janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit. Aktualisht po trajtohen 65 pacientë. 31 pacientë janë në oksigjeno-terapi, 10 pacientë janë në gjendje më të rëndë, ndërsa pacientet e tjerë janë në gjendje më stabile. Nga personeli i Spitalit 6 Mjek, 15 infermierë dhe 3 punëtor të shërbimit teknik janë të infektuar me COVID-19”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Po ashtu, në këtë spital gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë shërbime edhe për 180 pacientë që kanë marrë trajtim emergjent shëndetësorë.

“Gjatë 24 orët e fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 180 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësorë. Nga këta 23 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm. Kanë qenë 9 lindje, 8 normale dhe 1 me prerje cezariane. Kanë lindur 9 foshnje, 7 të gjinisë mashkullore dhe 2 të gjinisë femërore. Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë kryer 7 operacione, ndërsa 191 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 2,345 analiza”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/