Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar të dielën se në institucionet publike shëndetësore në vend, aktualisht në trajtim janë 375 pacientë.
Prej tyre, 277 janë të infektuar me COVID-19, përcjell Telegrafi.
Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se gjashtë pacientë janë në respiratorë, 20 janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, derisa 260 të tjerë janë në oksigjenoterapi.
Kosova ka gjithsej 700 shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale.
Sipas raportit ditor të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të dielën në Kosovë janë regjistruar edhe 92 raste të reja me COVID-19.
Nga ky virus kanë vdekur shtatë pacientë, ndërsa janë shëruar 115 persona.
Numri total i rasteve pozitive, me shifrat e fundit, ka arritur në 14,119 raste. /Telegrafi/