Site icon Telegrafi

Në spitalet e Kosovës, 300 pacientë të shtrirë me COVID-19, prej tyre 14 po asistohen nga respiratorët

Në 24 orët e fundit, në Kosovë kanë vdekur pesë persona që kanë qenë të infektuar me coronavirus, ndërsa janë regjistruar edhe 118 raste të reja me COVID-19. Kurse në spitalet e Kosovës  po trajtohen 300 pacient me coronavirus, prej tyre  14 pacientë po asistohen nga respiratorët.

Përmes një njoftimi për media, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftojnë se numri i përgjithshëm i të vdekurve nga coronavirusi ka arritur në 135. Aty thuhet se rastet me fatalitet kanë pasur sëmundje shoqëruese, por nuk jepen më shumë detaje, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Në Kosovë, pesë të vdekur, 118 të infektuar dhe 157 të shëruar nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Ndërsa, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njofton se 300 persona me COVID-19 persona po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare dhe në spitalet rajonale.

Në klinikat e QKUK-së, po trajtohen 163 pacientë me COVID-19, ndërkaq në spitalet rajonale janë duke marrë trajtimin 137 pacientë. Numri më i madh i pacientëve me COVID-19, që po trajtohen në spitalet rajonale është në atë të qytetit të Pejës, ku të shtrirë janë gjithsej 61 pacientë.

Prej tyre, 14 pacientë po asistohen nga respiratorët për të marrë frymë, 28 të tjerë po asistohen nga makina për frymëmarrje e njohur me shkurtesën CPAP, ndërkaq mbi 200 të tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi.

Prej kësaj jave, në Kosovë është bërë e obligueshme mbajtja e maskës në ambientet e jashtme, por edhe të mbyllura, aty ku qytetarët nuk mund të mbajnë distancë fizike./Telegrafi/

Exit mobile version