Site icon Telegrafi

​Në Skenderaj punësohen 40 gra në fabrikën e përpunimit të mishit

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka vizituar sot fabrikën e përpunimit të mishit të rosës, “Weng Fat Poultry”, fabrikë kjo e themeluar si shoqëri aksionare, me një aksionar holandez, një gjerman dhe dy shqiptarë, duke qenë kështu biznesi i parë në Kosovë që eksporton produkte të mishit në tregun evropian.

Me këtë rast kryetari Jashari u shpreh i lumtur që pas shumë vështirësive është hapur kjo fabrikë që do t’i punësojë mbi 100 punëtorë.

“Përderisa si pasojë e pandemisë fatkeqësisht kemi shuarje të bizneseve jo vetëm në Kosovë por në të gjitha shtetet, sot në Skenderaj po fillon punën një fabrikë me rreth 40 punëtorë, në fazën e parë, ku shumica prej tyre janë gra dhe ky fakt më gëzon edhe më shumë sepse me këtë po fuqizohet pozita e gruas në shoqëri”, tha Jashari.

Nga ana tjetër, drejtori i fabrikës, Xuong mu Phung, falënderoj kryetarin Jashari , për përkrahjen e pa rezervë dhënë kësaj fabrikë, deri në jetësimin e saj, ku sipas tij me gjithë sfidat e mëdha që kanë pasur deri në licencim për eksportim jashtë vendit, kryetari Jashari ka qenë një mbështetës i madh i këtij projekti.

Ai po ashtu falënderoi Kryetarin Jashari edhe për dhënien e pronës komunale për 99 vjet dhe rregullimin e infrastrukturës përcjellëse, duke vlerësuar se përkrahje e kryetarit Jashari është shembull dhe motiv edhe për bizneset tjera që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.

Kryetari Jashari, me stafin e tij dhe drejtuesit e biznesit, Xuong mu Phung, Adem Yildiz, Avdi Tahiraj dhe Isa Tahiri shikuan për së afërmi procesin e përpunimit të mishit të rosës nga përgatitja për pjekje e deri tek paketimi për eksport.

Jashari përgëzoi stafin e fabrikës dhe punëtorët për fillimin e mbarë, duke uruar zgjerim të biznesit, për të arritur pritjet e fabrikës për punësimin e mbi 150 qytetarëve të Komunës së Skenderajt.

Exit mobile version