Telegrafi

Në Skenderaj, emrin e komandantit legjendar e shkruajnë Adam – reagon Bekim Jashari

Foto e publikuar në rrjetet sociale

Në vendlindjen e Adem Jasharit, në mënyrë të çuditshme dikush ia ka ngatërruar shkronjat emrit komandantit legjendar.

Edhe pse mbishkrimi “Lavdi Komandantit Legjendar Adam Jashari”, ishte vendosur në mes të një rruge, siç duket askush nuk e ka vërejtur gabimin.

Në vend të Adem, dikush e ka bërë Adam.

Siç bëhet e ditur kjo banderolë është vendosur nga Komuna e Skenderajt, për shënimit e 14-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Lidhur me këtë ka reaguar ish-kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, i cili është nipi i Adem Jasharit.

“E kuptoj që shtypjen e materialeve e bëjnë individ apo kompani të caktuara mirëpo asnjëherë nuk duhet lejuar që të na ikin gabime të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla dhe figura historike si ajo e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Gabimet e tilla nder të tjerash shpërfaqin interesimin e pushtetit aktual për historinë dhe trajtimin ndaj atyre që dhanë gjithçka për Ne dhe Lirinë që sot po e gëzojmë”, tha Jashari.

Tutje ka kërkuar nga komuna të kërkojnë falje dhe ta largojnë banderolën e shkruar gabim.

“Me këtë rast më e pakta që do të duhej të bënin ata që sot udhëheqin me Skenderajn do të ishte kërkim falja dhe ndërrimi sa më i shpejtë i atyre materialeve fyese”, shkroi Jashari në Facebook./Telegrafi/