Site icon Telegrafi

Në shtëpinë e nobelistit të parë, Sully Prudhomme

Nga: Mimoza Kuchly

Nuk ishte rastësi që kalova disa ditë në banesën ku kaloi vitet e fundit të jetës dhe dha shpirt nobelisti i parë më 1901, René-François-Armand Prudhomme, ose i njohur nga lexuesit si Sully Prudhomme. Më 6 shtator mbushen 113 vjet nga ditëvdekja e tij.

Më pëlqen të ndjek gjurmët e shkrimtarëve të mi të pëlqyer dhe Prudhomme bën pjesë në këtë grup e aq më tepër që ndodhet njëzet kilometra nga Parisi.

Para se të hysh në ambiente të cilat mbartin një histori dhe muret i ruajnë me fanatizëm, ndeshesh me një pllakë e cila ka memorizuar kohëqëndrimin e tij.

Në hyrje më prêt një zotni rreth diku të shtatëdhjetave, i gjatë me flokë të bardha që duket se i përshtatet mjedisit. Është pronari i parë pas zonjës e cila kishte jetuar më pranë familjes Prudhome.

Kur i kërkova që të bënte udhërrëfyesin e mjedisit, m’u duk i emocionuar. Kuptohet nuk isha e para turiste që vija aty, por ajo që i bëri përshtypje ishin njohuritë që kisha rreth poetit nobelist si e huaj, vend nga i cili nuk kishte shume informacion veç nominuesit shqiptar në letërsi, Kadaresë.

Kisha zgjedhur suitën që dikur ishte zyra e punës së nobelistit i cili pas marrjes së çmimit Nobël më 1901, u largua nga Parisi i zhurmshëm dhe gjeti paqe në banesën ku që në hyrje të tërheq kopshti me pemët dhe lulet si në kohën e shëtitjeve të Prudhome me karrocën e tërhequr nga një pulisht.

“Vende me histori që po t’i ndryshosh duket se brezat do të na dënojnë”, më thotë duke më treguar hapësirë pas hapësire shtëpinë e nobelistit, i cili kishte jetuar me të motrën dhe nipin deri në fund të jetës së tij. Të nesërmen që herët bashkë me servirjen e mëngjesit, më solli një dosje të madhe ku gjendeshin gazeta dhe shkrime rreth nobelistit. “I kam nxjerrë nga pluhuri dhe nuk kanë parfum fort të këndshëm”, më foli duke më shpjeguar datat dhe ndonjë anekdotë nga jeta e poetit. Nuk ka qenë kurorëzuar në kishë, por i kurorëzuar me çmimin të nderuar që ëndërron një shkrimtar gjithë jetës së tij. Nga fundi i jetës për shkak të studimit të thellë të filozofisë, që sinqerisht herë-herë më duket ekuacion pa zgjidhje, thonë se sa të forta i kishte krizat aq fortë rezistonte “.

Sully, siç e njohim të gjithë këtë pseudonim, e ka nga një mik i të atit i cili rastësisht e kishte thirrur kur ishte bebe dhe ai po ashtu u njoh prej të gjithëve.

Nobelisti e filloi jetën si inxhinier, “por që nuk ishte profesion për mua” e më pas si ndihmës në një kabinet noterial të cilin e braktisi duke i hyrë poezisë dhe udhëhequr nga letërsia.

“Më duket se nuk isha i aftë të bëja gjë tjetër veçse poezisë, do të shprehej nobelisti. Studimet filozofike më bën që t’i shkoja më thellë letërsisë, më tërhoqën kurse ato psikologjike më pasiononin”.

Në moshën 26 vjeçare ai publikon vëllimin e parë “Strofa dhe poema”, ku spikati sinqeriteti dhe harmonia në formë dhe përmbajtje. Më vonë, më 1869 do të publikojë “Vetmia” ku e ndjek suksesi i menjëhershëm, pas “Natyra e gjërave”, “Vazo e thyer” dhe vazhdon me përkthimin e poemës “Lukrecia“, me një parathënie e cila është një ndër pjesët më të bukura të letërsisë filozofike.

Poemat e tij, ndiqnin njëra-tjetrën dhe falë punës së vazhdueshme e po ashtu të suksesshme, më 1881 zgjidhet dhe anëtar i Akademisë franceze.

Duke shfletuar shënimet dhe dokumente të cilat nuk i kisha gjetur në internet, në ato pak intervista të lëna prej tij, ndihet thjeshtësia e një poeti të madh i cili i fal lexuesit përveç shumë poezive “Ditarin” dhe Mendime Filozofike të cilat e kanë bërë poetin të paraqitet para lexuesit me gjithë bagazhin e tij letraro-filozofik. Ja disa nga mendimet e tij filozofike të cilat plotësuan portretin e tij si poet në dhënien e çmimit Nobel.

• Duhet të jesh njeri, ta vësh vëth në vesh dhe ta kuptosh rëndësinë.

• Jemi të lumtur sepse ndjehemi dhe jo sepse jemi; jemi të madhërishëm sepse reflektojmë për të shkuar drejt mirësisë.

• Dashuria është burim mirësie, por si gjithë gjërat që na rrethojnë në botën tonë, shkon dhe na mundon në largim; duhet kërkuar në lidhjet më gjëra të përjetshme. Por gjërat e përjetshme nuk janë për të gjithë, ashtu si bukuria dhe e vërteta; Zoti deshi që bukuria e cila është e përjetshme të bëhet e kapshme.

• As e shkuara dhe as e ardhmja, nuk na takon; por është masa e duhur, në kohën e tashme në ndjeshmërinë tonë, përsa I përket kujtimit dhe keqardhjes, shpresës dhe frikës. Kështu, pra lumturia, nuk është veçse një kthim dhe një parashikim.

• Të gjithë të dashuruarit nuk janë poet, faleminderit Zot! Por ka një gjë që të gjithë të dashuruarit shohin me syrin e poetit, objektin e dashur.

• Për mua të duash ashtu si unë vetë e ndiej, është sakrifica për lumturinë e një gruaje ose të paktën t’i përkushtohesh.

• Të duash është diçka e përbashkët; të të duan është diçka më e rrallë. Dashuria është një ligj, dhe reciprokja në dashuri është rastësi.

• Ka njerëz të cilët më mirë i duam t’i shohim të sëmurë se sa të tradhtuar, dhe kjo quhet të duash.

• Në një dashuri të vërtetë, besimi është streha e xhelozisë.

• Gruaja është mishërimi i buzëqeshjes së Zotit.

• Miqësia të bën të duash jetën, dashuria i jep shije vdekjes.

• Të dashuruarit kërkojnë gjithmonë lumturinë, kurse miqtë e falin atë.

• Dashuria është një lutje në vazhdim; miqësia një shkëmbim I vazhdueshëm.

• Trupi për të jetuar, ka nevojë për të gjithë njerëzit; shpirti ka nevojë për një publik; zemra është më pak kërkuese përsa i përket numrit se sa cilësisë së marrëdhënieve të saj.

• Çfarë prisni nga një shoqëri ku të rinjtë pothuajse për një dekadë kanë veçse dashuri të tradhtuara apo të trishtuara?

• Shpirti duhet të dojë si puna e kripës: gjithmonë me karar.

• Të shohësh do të thotë të kesh, thotë poeti. I marrë kryekëput, përgjigjet njeriu pozitiv, atë që kam mund ta shes dhe përfitoj.

• Përse torturohemi të realizojmë ëndrrat për të ardhmen, përderisa nuk jemi të kënaqur me të tashmen që dikur ishte e ardhme.

• Bamirësia është më e lehtë për t’u dhënë se sa drejtësia.

• Udhëtimi: një lamtumirë që ecën.

• Poezia është frymëmarrja e zemrës së tejmbushur

• Poezia është gjithësia e hedhur në muzikë, falë zemrës.

• Poezia shpesh është arti I transformimit të mendimeve në fjalë.

• Jeta, vdekja; dhe gjumi hyjnor, lindin nga e njëjta puthje.

• Instinkti shtyn, ndërsa ndjenja morale tregon.

• Njeriu më i ditur nuk është ai që njeh më shumë të vërteta, por ai që njeh më të mirat.

• Të gjesh të vërtetën do të thotë të konstatosh; por ta aplikosh është si ta krijosh. Ja përse filozofia na afron më pak drejt Zotit sesa virtyti.

• Në filozofi duhet që të reflektosh për një kohë të gjatë për të dhënë idenë e një mendimi naiv.

• Kur çështjet e zemrës nuk shpjegohen dot, njerëzit e ndjeshëm janë gjithmonë më inferiorë në diskutimet filozofike.

• Shpirti është i qetë kur zemra është e kënaqur, prandaj dhe gjithë besimet janë të mirëpritura, të vërteta apo të gënjeshtërta, por duhet një.

• Fatkeq, njeriu ndien nevojën e lutjeve përpara Zotit ; i lumtur, ai nuk e ndien asnjëherë të nevojshme ta falënderojë .

• Fjalët zemër, shpirt dhe Zot janë kthyer në thelbësore për poezinë. /Gazeta “ExLibris”/

Exit mobile version