Dokumenta të publikuara nga Shtëpia e Bardhë zbulojnë pasuritë miliona dollarëshe të zyrtarëve të lartë të stafit të saj.
Vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner kanë asete me vlerë nga 240 deri në 740 milionë dollarë. Këtu përfshihen aksionet në “Trump International Hotel”, që i kanë siguruar Ivankës fitime nga 1 milion deri në 5 milionë dollarë vitin e kaluar.
Dokumentat me të dhënat financiare që u publikuan në orët e vona të së premtes, detajojnë gjithashtu edhe pagat e fundit të disa prej figurave kyçe në administratë, e gjithashtu të ardhurat dhe pasuritë në kohën kur ata kanë filluar të punojnë për qeverinë amerikane.
Por as Presidenti Donald Trump dhe as zëvendësi i tij, Mike Pence nuk janë të përfshirë në liste. Nga dokumentat mësohet se “perandoria” e bizneseve të Ivanka Trump vlen më shumë se 50 milionë dollarë, ndërsa vlera e aksioneve të saj në “Trump International Hotel” është mes 5 milionë dhe 25 milionë dollarëve.
Të dhënat financiare të Jared Kushner mbulojnë plot 54 faqe, ku detajohen pozicionet e mbajtura prej tij në 267 organizata. Steve Bannon, që tani mban postin e Këshilltarit në Shtëpinë e Bardhë, ka një pasuri që varion nga 3.3 deri në 12.6 milionë dollarë.
Sean Spices, zëdhënësi i administratës Trump u pagua 260 mijë dollarë për rolin si kryestrateg dhe Drejtor i Komunikimeve në Komitetin Kombëtar Republikan dhe gëzon gjithashtu një numër pronash.
Në një deklaratë përpara publikimit të dokumentave, Shtëpia e Bardhë nxitoi të sqaronte se këto nuk janë pasuritë që pjesëtarët e stafit kanë sot, por ato që kishin në momentin e ardhjes në detyrë.
Agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë të thotë se të dhënat financiare të rreth 25 përqind të pjesëtarëve të stafit janë ekstremisht komplekse, çka nënkupton se janë shumë më të pasur.