Të përzgjedhurit e Albert Bunjakut, në muajin tetor do të luajnë dy miqësoret e radhës kundër Panamasë dhe Kanadasë, por krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), janë duke u munduar që në muajin shtator do të aranzhojnë edhe një miqësore.
Burime të KosovaPress-it brenda FFK-së kanë bërë të ditur që Argjentina, Zvicra dhe Meksika, janë tri opsionet e mundshme për tu ballafaquar me Kosovën.
Sipas këtij burimi, Argjentina e Lionel Messit, është alternativa më e mundshme që përballet me përfaqësuesen tonë.
“Është duke u kërkuar një kundërshtar për një miqësore në muajin shtator. Argjentina, Zvicra dhe Meksika, janë opsionet e mundshme. Argjentina është alternativa me e mundshme. Është duke u punuar në këtë drejtim”, ka thënë burimi brenda FFK-së.
Kujtojmë së Kosova në këtë vit ka zhvilluar tri ndeshje miqësore ndërkombëtare nën monitorimin e FIFA-së.
Në miqësoren e parë përfaqësuesja jonë kishte luajtur pa gola kundër Haitit më 5 mars në ‘Adem Jashari’. Në të njëjtin vend, përfaqësuesja jonë kishte pësuar humbje kundër Turqisë (1-6), kurse më 25 maj, Kosova ishte mposhtur në Gjenevë ndaj Senegalit (1-3). /KP/Telegrafi/