Site icon Telegrafi

Në Shqipëri numri i viktimave nga COVID-19 shkon në 240

Përgjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë kryer 864 testime të dyshuara me COVID-19, ndërsa 152 prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Në komunikimin e përditshëm për mediat, Task-Forca u shpreh se, dy pacientë kanë humbur jetën duke e çuar numrin e viktimave në 240, që nga fillimi i pandemisë.

Sipas autoriteteve shëndetësore, aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po marrin shërbim 137 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, ku 24 ndodhen në terapi intensive dhe 7 janë të intubuar.

Gjatë orëve të fundit listës së të shëruarve i janë shtuar 110 qytetarë, të cilët kanë mposhtur me sukses virusin agresiv të Covid-19. Qarku më i prekur nga infeksioni vijon të mbetet Tirana, e cila deri tani numëron 119 viktima, e ndjekur nga Shkodra dhe Durrësi.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve

Tiranë                       1947

Durrës                        489

Shkodër                      302

Fier                             177

Lezhë                          157

Korçë                          165

Vlorë                           146

Kukës                         123

Elbasan                      118

Berat                             70

Gjirokastër                    45

Dibër                             44.

Ministria e Shëndetësisë kërkon nga qytetarët të respektojnë rregullat anti-covid, të ruajnë distancën si dhe të shmangin vendet ku ka shumë njerëz. Zonja Ogerta Manastirliu, pak ditë më parë nga banka e gjakut në QSUT deklaroi se janë finalizuar protokollet për të kryer terapinë e plazmës.

Ajo ftoi qytetarët që kanë kaluar virusin të dhurojnë gjak, ndërsa u shpreh se kjo terapi do t’iu vijë në ndihmë të prekurve me Covid-19.

“Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.

Exit mobile version