Site icon Telegrafi

Në Shqipëri kremtohet Festa e Kurban Bajramit

Kryetari i komunitetit mysliman shqiptar muftiu Selim Muca uroi besimtarët, duke thënë se kjo festë “na nxit të jemi gjithmonë të gatshëm të bëjmë sakrifica për të mirën e përgjithshme për paqe për fe dhe për atdhe”.

Muftiu theksoi ndjenjat e paqes, shëndetit dhe vëllazërisë dhe po kështu përkujtoi se Kurban Bajrami këtë vit përkon me 20 vjetorin e rikthimit të besimit në Shqipëri pas ndalimit total të tij nga komunistët shqiptarë, dhe prishjes së objekteve të kultit.

Presidenti Bamir Topi uroi gjithashtu besimtarët duke thënë se vlerat e larta morale, mendimet e ndritura dhe qëllimet e dobishme, që karakterizojnë çdo besimtar të vërtetë mund të luajnë një rol vendimtar në përballimin e fenomeneve negative, që shfaqen shpesh në jetën e një individi dhe të një shoqërie.

Presidenti shprehu bindjen se këto vlera do t’i shërbejnë synimit të përbashkët për ruajtjen dhe transmetimin në breza të trashëgimisë së harmonisë dhe tolerancës fetare, zhvillimit të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit në dobi të së ardhmes së popullit shqiptar.

Kryetari I Bashkisë së Tiranës, Edi Rama uroi besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit që të hënën duke konfirmuar edhe ndërtimin e një xhamie të re në qendër të Tiranës. /Telegrafi/
 

Exit mobile version