Site icon Telegrafi

Në Shqipëri 18 raste me fruth, Koçiu apel për vaksinim: Prindër, mos rrezikoni jetën e fëmijëve

Numri i të infektuarve me fruth është rritur duke arritur në 18 raste.

Gjatë fundjavës një tjetër nxënës shkolle është diagnostikuar me fruth, ndërkohë që Insitituti i Shëndetiti Publik po kryen hetimin epidemiologjik dhe po verifikohen të gjitha rastet e kontaktit të fëmijës.

Sipas të dhënave fëmija ishte pikë kontakti i rasteve të mëparshme të infektuara dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Nisur nga shpërthimi i fruthit në vend, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu gjatë inspektimit të investimeve në spitalin e ri të  Laçit, u bëri apel prindërve që të vaksinojnë fëmijët.

“Është një vaksinë e përfshirë në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit dhe është një vaksinë që mbron 100% për rrezikshmërinë që mund të sjellë sëmundja e fruthit. Është e domosdoshme për t’u kryer dhe apeli i shkon gjithë prindërve: Vaksinoni fëmijët për një jetë të sigurt, për një jetë të shëndetshme. Vaksina është falas, është në çdo qendër shëndetësore. Kështu që do ju lutesha shumë që ta merrni shumë seriozisht që të mos rrezikoni jetën e fëmijëve.”

Në Spitalin Bashkiak të Laçit, rreth 80 mijë banorë marrin shërbime shëndetësore në ambiente të transformuara, ndërkohë që janë shtuar edhe shërbime të reja si ortopedi, pediatri, kardiologji dhe pathologji pasi sëfundmi këtij spitali i janë bashkuar 11 mjekë specialistë, raporton tvklan.

Exit mobile version